Nisma anti-korrupsion / Edi Rama: Zyrtarët nuk do japin më asnjë tender, do marrim ekspertë të jashtëm

Politikë

Publikuar: 13/06/2022

Nisma anti-korrupsion / Edi Rama: Zyrtarët nuk do japin më asnjë tender, do marrim ekspertë të jashtëm

Në konferencën e parë antikorrupsion, kryeministri Edi Rama pranoi se një nga problemet e theksuara me të cilat përballet vendi ynë janë tenderat jo transparente dhe në shkelje të ligjit.

Për herë të parë, Rama tha se tenderat nuk do të bëhen më nga ministritë dhe bashkitë.

Rama theksoi se do të ngrihet një strukturë e posaçme, me ekspertizë të jashtme për të bërë tenderat.

Po përgatisim një fazë tjetër për të çliruar administratën nga pesha e madhe e këtij procesi, të kontraktimit përmes fondeve në tendera, për të përfshirë ekspertizë të jashtme dhe pse jo kompani ndërkombëtare, që administrata të bëj administratën, ministrinë ministri, tenderimin ta bëjnë struktura me një pavarësi dhe profesionalizëm, se problem nuk është vetëm korrupsioni, apo përzierja me qëllimin e devijimit të ligjit për përfitim, por është edhe paaftësia për të ndërtuar procese profesionale”, tha Rama.

Ai tha se askujt më parë nuk ia priste mendja që për një kohë të shkurtër pas reformimit të sistemit të drejtësisë, do kishte pas hekurave, ministra, deputetë apo kryebashkiakë.

“Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë, kush e mendonte se do të vinte dita vetëm pak vite më pas nga fillimi i reformës në drejtësi ku askush më nuk do ndihej i paprekshëm, që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur, deputetë do të merreshin në hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika, dhe e fokusuar tek misioni i saj për drejtësi”, tha Rama.