Mjeku Edvin Prifti, i arrestuar më parë për korrupsion, është sërisht në shenjestër të SPAK-ut për afera të tjera korruptive.
Përfaqësues të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në zyrën dhe shtëpinë e mjekut Prifti, ku më parë i janë bllokuar qindra mijëra euro para të dyshuara si produkt i aferave korruptive.
Prifti dyshohet si pikë kontakti me mjekët në Itali, për shkak të lidhjeve që ka me ta, si pjesë e një grupi kriminal që falsifikonte letrat duke u ofruar shërbim shëndetësor në spitalet italiane 82 pacientëve shqiptarë, duke trafikur ilaçe, mashtruar me barnat, përzierje ilaçesh me kanabis etj.
Në mesin e të hetuarve rezultojnë 3 mjekë shqiptarë mes tyre mjeku Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ Vladimri Peto, Aurel Vula, Ilir Broqja dhe dy biznesmenët Aleksandër Gjoka dhe Ndue Pulaj. Ndërkohë që janë nën hetim 82 persona.
Ilir Broqaj ka qenë i arrestuar më parë. Në vitin 2013 ai u akuzua për korrupsion por më pas u la i lirë në sallën e gjyqit.
Si funksiononte skema
SPAK në bashkëpunim me autoritete ligj zbatuese italiane, ka bërë të mundur arrestimin e 9 shtetasve, me profesione mjekë, infermierë dhe biznesmenë, të cilët përmes skemës së mashtrimit fusnin qytetarë shqiptarë në Itali, por dhe përfitonin shumët të mëdha parash me anë të barnave.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin mjekët shqiptarë dhe Italianë, përmes një dokumentacioni të falsifikuar dhe me sëmundje të rënda (mashtrim), bënin të mundur hyrjen në Itali të qytetarëve shqiptarë, me pretendimin se kishin nevojë urgjente për ndihmë më të specializuar.
Fillimisht kërkesa bëhej nga ana e mjekëve shqiptarë të cilët i dërgonin në Itali emrin e “pacientit” bashkë me diagnozën, dhe menjëherë ishte përgjigja e mjekëve italianë që jepnin “Ok” që qytetarit t’i hapej drita jeshile për të kaluar në kufi.
E gjithë kjo bëhej përmes përfitimit të parave ose shërbimeve seksuale që mjekët shqiptarë dhe italianë merrnin nga “pacienti”, pasi ky i fundit sapo kalonte kufirin vijonte jetën e tij.