Vrasja e babë e bir, ushtari i Çapjave Klajdi Dokoli shpreson të lirohet nga qelia se është sëmurë

Kronike

Publikuar: 01/06/2022

Vrasja e babë e bir, ushtari i Çapjave Klajdi Dokoli shpreson të lirohet nga qelia se është sëmurë

Drejtësia po godet grupet kriminale në Elbasan. Nga ana tjetër anëtarët e grupeve bëjnë përpjekje për të shpëtuar.

Prapaskena mëson se një prej anëtarëve të grupit Çapja në Elbasan, që akuzohet si pjesë e skuadrës së vrasjes së babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri në 15 Gusht 2012, i është drejtuar gjykatës së Posaçme me një kërkesë për tu liruar nga burgu.

Bëhet fjalë për Klajdi Dokolin, personazhin e përfshirë në vrasjen e dyfishte dhe që prej gati një viti po gjykohet si i pandehur, nga gjykata e Posaçme.

Por prej datës 16 Maj 2022, Dokoli ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në “arrest shtëpie”, pasi pretendon se shëndeti i tij, është përkeqësuar gjatë qëndrimit në burg.

Kërkesa e tij, mban numrin 211 dhe është ende në fazën e gjykimit nga gjyqtarja e çëështjes, Etleva Deda.

Deri në këtë fazë nuk ka një vendimarje konkrete nëse gjyqtarja do pranojë ose jo kërkesën e Klajdi Dokolit, për të kryer zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Dokoli, përmendet në dëshminë e bashkëpuntorit të Drejtësisë, Ervis Bardhi, se ka marë pjesë në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit. Sipas Bardhit, ai ishte një njeri i afërt i Ardjan dhe Florenc Çapjas, dhe në këtë ngjarje ata e kanë ngarkuar me detyrën e vëzhguesit të banesës së Gentianit.

Gentian Beqiri, ishte objektivi i Çapjave për tu hakmarë, pasi ai ishte një nga tre personat me Dritan Shemen dhe Armand alias Butrint Hasanin, që ekzekutuan në dhjetor 2005, Sokol Çapjan.

Për vrasjen e Beqirit, Çapjat kontraktuan kundrejt 50 mijë euro Ervis Bardhin dhe Olsi Lekun, të cilët hynin e dilnin në banesën e Gentianit. Ditën e krimit, Bardhi tregon se vrasjen e Gentianit e ka kryer ai, duke qëlluar me pistoletë në kokë Gentianin.

Ndërsa babain e tij, Nezir Beqirin e ka rrahur dhe më pas mbytur me jastëk, Olsi Leku.

Për këtë ngjarje, janë marë të pandehur Ardjan Çapja dhe Florenc Çapja në cilësinë e personit që kanë financuar vrasjen, Ervis Bardhi dhe Olsi Leku, si ekzekutorë.

Ndërsa të pandehur janë dhe Etien Cani dhe Klajdi Dokoli, që kanë pasur rolin e ndihmësave, duke mbajtur në mbikqyrje shtëpinë dhe kontrolluar veprimet e dy policëve që ishin me shërbim poshtë shtëpisë dhe nënës së Gentianit, që sapo kishte dalë nga shtëpia.