Zgjedhja e presidentit, Konferenca e Kryetarëve cakton sot datën për raundin e tretë

Politikë

Publikuar: 24/05/2022

Zgjedhja e presidentit, Konferenca e Kryetarëve cakton sot datën për raundin e tretë

Ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të caktuar datën e mbajtjes së raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Kjo mbledhje e Konferencës së Kryetarëve vjen pas djegies së dy raundeve të para ku palët e përfshira në negociata nuk propozuan asnjë kandidat për president.

Konferenca është parashikuar të mbahet në orën 14:30.Kushtetuta përcakton se një kandidat për president propozohet me firmat e 20 deputetëve.

Në raundin e tretë, Kushtetuta përcakton se kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të cilësuar, 84 vota. Në raundin e katërt dhe të pestë, Presidenti zgjidhet me shumicë të thjesht, me 71 vota.

Dje më 23 Maj ishte raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të ri, i cili po ashtu u dogj si raundi i parë i mbajtur më 16 Maj , pasi në Kuvend nuk u depozitua asnjë emër nga opozita.

Në mbledhjen e djeshme nuk pati asnjë kandidat ndaj seanca u konsiderua e ezauruar nga Kuvendi dhe kryeministri Edi Rama tha se nuk ka mundësi për gjetjen e një kandidature konsensuale me opozitën pasi “për të kërcyer tango duhet edhe një partner”.

Rama tha se do të pritet edhe në raundin e tretë që opozita të propozojë dhe në të katërtin mazhoranca do ta zgjedhë vetë kreun e ri të shtetit.

Javën që lamë pas palët ranë dakord që në raundin e dytë dhe të tretë të ishte opozita ajo që do të propozonte një kandidat, por të premten dështoi marrëveshja.

Sipas dakordësisë dhe planit të PD, kjo parti do të propozonte 4 emra dhe 2 do i propozonin aleatët e saj. Më pas do të ngrihej një komision mes PD dhe PS dhe do të zgjidhej një emër që do të shkonte për votim.

Por të premten pati përplasje mes të dyja palëve dhe PD u tërhoq nga propozimi i një emri. Ishte kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ai i cili njoftoi se PS nuk futet në proces përzgjedhje, por deklaroi se PD mjafton të sjellë një emër bashkë me 20 firmat e nevojshme. Sipas tij, deputetët e PS nuk mund të firmosin për emrat e PD.

Ky proces duket se po zvarritet qëllimisht nga mazhoranca e cila po pret raundin e 4 dhe 5-të me qëllim përzgjedhjen e një emri i cili do të vijë nga radhët e tyre dhe jo nga opozita.