Bashkia e Lezhës duket se ka ‘halle’ të tjera nga ato të qytetarëve.
Një javë më parë, në 11 maj 2022, Bashkia e Lezhës, i ka dhënë një kompanie që kontrollohet nga Klodian Makashi, rreth 300 mijë USD, për organizim festash, eventesh dhe dekor.
Duket se për këtë bashki kanë shteruar të gjitha problematikat, duke i mbetur vetëm ‘halli’ se kush do t’i organizojë festat.
Fituese e tenderit të dyshimtë është shpallur kompania “REDCLOUD”, vit pas viti me humbje, e kontrolluar deri në vitin 2020 nga Zhuljeta Ndrico.
Në dhjetor të vitit 2020, Zhuljeta Ndrico, e cila ka një shoqatë fantazmë, ia shet për 100 mijë lekë kompaninë “REDCLOUD” kompanisë MORPH, me objekt kryerje të investimeve, blerjeve dhe shitjeve të kapitalit të kompanive private.
MORPH ka si administrator Klodian Makashin, i cili zotëron edhe 56 % të aksioneve. Dy aksionerët e tjerë janë Uarda Koçi dhe Renald Rista. MORPH, pa asnjë punëtor, në vitin 2020, ka dalë me rreth 90 mijë USD humbje, por tashmë duket se po i buzëqesh fati.
Nga ana tjetër, Uarda Koçi rezulton pjesë e kompanisë “REDCLOUD” me pagë 47 mijë lekë në muaj. Nuk dihet se çfarë eksperience ka kompania “REDCLOUD” në organizime festash, por ndoshta ka organizuar ndonjë dasmë.
Tenderi është zhvilluar me një garë e dyshuar formale, ndërsa diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është 840 mijë lekë.
Në Bashkinë e Lezhës kanë marrë tendera kompani të skeduara për afera korruptive dhe mashtrim, por edhe kompani me pronar bosë të trafikut ndërkombëtar të drogës. / Prapaskena