Një specialiste për shtetësinë pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, është lënë në arrest shtëpie nga gjykata, pasi mbi të rëndon akuza e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.
Në dosjen hetimore zyrtarja E.H, duke përfituar nga padijenia e dy personave nga Kosova, të cilët aplikuan për shtetësinë shqiptarëve, i ka marrë atyre para, duke shpërdoruar detyrën.
Punonjësja i merr para (200 euro) dy vëllezërve, Mentor dhe Bujar Muhaerrimi gjatë aplikimit për pasaportë shqiptare, në kundërshti me ligjin, pasi ata ishin të përjashtuar nga tarifa për shkak se do e merrnin kombësinë shqiptare nga origjina e nënës së tyre. Zhvatja u zbulua pasi punonjësja nuk i pajisi vëllezërit me vërtetimin për kryerjen e pagesës.
“Nga tërësia e hetimeve të kryera deri në këtë fazë janë administruar prova dhe fakte të cilat krijojne bindjen e bazuar ne prova qe shtetasja, me detyrë Specilaiste për Shetësinë në Sektorin e Rendit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ka konsumuar teresisht elementet e figures se veprës penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i K.Penal.
Kjo shtetase, duke përfituar nga padijenia e shtetasve te huaj te natyralizuar, te cilet jane te perjashtuar nga tarifat e aplikimit per shtetësi shqiptare, i ka marre atyre gjate aplikimit sasi monetare me justifikimin se ishte tarifa e aplikimit dhe keto sasi monetare i pervetesonte ne menyre te paligjshme’, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore.