Rama i kërkon SPAK-ut arrestimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës si koka të korrupsionit dhe armiq të SHBA

Kryesore

Publikuar: 07/05/2022

Rama i kërkon SPAK-ut arrestimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës si koka të korrupsionit dhe armiq të SHBA

Kryeministri ka vijuar sërish betejën me Prokurorinë e Posaçme. Nga asambleja e partisë socialiste Edi Rama i ka kërkuar SPAK-ut marrjen si të pandehur të peshkaqenëve Sali Berisha, Ilir Meta dhe të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të kohës së tyre që tashmë janë nxjerrë jashtë sistemit nga vettingu.

“Partnerët tanë e futën peshkun si simbol, duke folur për peshq që do kapen, skuqen, hahen. Eshtë realisht tallje e madhe që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi e vetëm për një lloj peshku. Madje pa e pasur problem fare të gjuajë e cironka me dinamit. Duket se nuk ka as vullnet per ta perdorur dinamitin per peshkaqenet” tha Rama.

I pari që shefi i qeverisë i ka vënë në listën e detyrave të SPAK është kreu i shtetiti mandati i të cilit mbaron në 24 korrik. “Jo unë por gjithë Shqipëria, mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metën” tha ai duke e akuzuar prokurorinë e postarçme se perdor dy standarte me mazhorancën dhe me kundërshtarët e saj:

“Durimi yne po soset, i imi po nje here i juaji ka kohe qe eshte sosur po e di e ma vini fajin mua. Kjo do te thote qe SPAK  e te gjithe ata te interesuar duhet te kujtohen qe ne nuk e kemi humbur gojen, e kemi ne vend”.

Dhe për të vërtetuar dy standartet e predikuara prej tij, Rama ka sjellë në vëmendje të asambleistëve historinë e ish gjykatësit të lartë Dvorani, që tani do të zërë një vend në Kushtetuese, i cili kohë më parë u përfshi në një konflikt me presidentin: “…e dini që SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme për të vepruar minutë për minutë që të bllokojnë Ardian Dvoranin, e vlerësuar nga sekretari i shtetit si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit, që të mos e lejojnë të hynte në proces për gjykatës. SPAK në mënyrë të rrufeshme, a thua se ishte sahat zviceran u vu në lëvizje për atë njeriun që për pak ditë ose javë do largohet nga zyra e presidentit të republikës” tha Rama duke nënvizuar se ai që duhej hetuar qe Ilir Meta.

Furisë së shefit të qeverisë nuk mund ti shpëtonte as Berisha. Pasi e sulmoi politikisht duke përsëritur refrenin se nuk e dëgjon dhe nuk bisedon me opozitën e tij, ai doli sërish tek SPAK:”Zonja dhe zotërinj të SPAK, zgjohuni dhe dilni në mbrojtje Shqipërisë. Shqipëria është i turpëruar nga një non-gratë, një i vdekur që i bën karshillëk këtij vendi.

Kush e ka lexuar mandatën e Sekretarit të Shtetit, e ka të qartë se i takon institucioneve të drejtësisë në Shqipëri që të bëjnë detyrën e tyre bazuar te ai përfundim i nxjerrë nga SHBA,” tha Rama duke vazhduar ti drejtohet prokurorëve specialë: “E keqja kualifikohet deri tani dhe ju skualifikoheni. Problemi është se e keqja do e vërë sërish përfund këtë vend. PS nuk do lërë dy gurë bashkë që të mos e lejojë këtë”.

Dhe në këtë trëkëndësh të së keqes kryeministri futi edhe ata që janë ‘djegur” nga vettingu.

“Sa gjykatës dhe prokurorë të nxjerrë jashtë nga vettingu me pasuri marramendëse të pajustifikuar do ishin sot në burg. Peshkaqen të mëdhenj i flaku vettingu, ku janë sot. Asnjë gjemb nuk u ka hyrë në këmbë.

BE e ka lënë me shkrim, kur të ulemi në tryezën e negociatave do na thonë është sa prokurorë dhe gjykatës të korruptuar janë marrë ne hetim dhe vënë para drejtësisë, zero….Ata që kanë rreshtuar vilat. Ata janë të gjithë duke pritur finalen e Champions League për të shkuar në Paris. Siç kanë shkuar në të kaluarën dhe kanë dalë së kush ua ka paguar udhëtimet.

Për të mos folur për non gratën e madhe që e kemi mes sheshit, bashkë me shpurën e tij që nuk ulen të negociojmë me ne po nuk ua dhamë atë presidentin. Është siç thoshte një plakë rome që unë e kisha qejf, “të kesh dy një ta mbash dhe një ta çash, se një s’mjafton”.

Pra kryeministri jo vetëm i ka kërkuar SPAK-ut të merret me ata që ai i quajti peshkaqenë, por njëkohësisht ka dhën edhe dy mesazhe, se drejtësia e re po zhgënjen atë vetë dhe ndërkombëtarët dhe se që kjo të mos ndodhë dhe që e “keqja të mos triumfojë serish, nëse këtë munë nuk e merr vet në duar Prokuroria e Posatçme këtë do ta bëjë vetë PS-ja.