Dajë e nip, Rrok Gjoka e Ndue Kola, garojnë si rivalë në një tender rruge dhe përlajnë 21 milionë Euro.

Aktualitet

Publikuar: 03/05/2022

Dajë e nip, Rrok Gjoka e Ndue Kola, garojnë si rivalë në një tender rruge dhe përlajnë 21 milionë Euro.

Tenderët klientelistë  të listës së Bablokut, i çojnë fondet publike vetëm të oligarkët, sponsor të pushtetit e familjes kryeministrore.

Ditën e enjte, kur kryeministri Edi Rama po përpiqej të justifikonte  koncesionin e Butrintit, duke deklaruar se qeveria po lufton korrupsionin, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, firmosi një tender korruptiv të miratuar nga vetë Kryeministri.

Bëhet fjalë, për Lotin e Dytë të rrugës Korçë-Ersekë, me fond limit 2 miliardë e 165 milionë lekë të reja pa TVSH, ose me vlerë 21 milionë Euro me TVSH, firmosur si procedurë e mbyllur më 28 prill, në favor të firmës “A.N.K Sh.p.k”.

Sipas letrave të  njoftimit të fituesit, tenderi duket brenda ligjit për prokurimin publik dhe si procedurë e hapur, mirëpo sipas dosjes  rezulton të jetë pazar i mbyllur familjar.

Fiktivitetin e tregon fakti, që në garën për këtë tender, kanë marrë pjesë dajë e nip si gjoja rivalë, me dy firma ndërtimi që janë i njëjti grup biznesesh; konkretisht oligarku Rrok Gjoka, mik i kryeministrit Edi Rama dhe Ndue Kola, ish-deputet i PS e sponsor i fushatave të kasaj partie.

Daja Rrok, ka marrë pjesë me firmën “Gjoka Kostruksion Sh.p.k” që ka “Rrugën e Arbërit dhe Rrugën “Kardhiq- Delvinë”; ndërsa nipi Ndue Kola, me firmën “A.N.K Sh.p.k”, të cilit Edi Rama i dha koncesionin e rrugës Milot-Balldren me vlerë 280  milionë Euro për 17 kilometër.

Sa për efekt numri në garë, në tender është futur dhe oligarku Bashkim Ulaj me dy firmat e tij “Gener 2 Sh.p.k” e “4-AM Sh.p.k”, i cili ka paraqitur oferta financiare, por dokumente të mangëta.

Të njëjtin marifet ka bërë dhe oligarku Rrok Gjoka, i cili ka paraqitur ofertë, por nuk ka paraqitur dokumente të sakta tatimore për numrin e punonjëse, të sigurimeve shoqërore, shëndetësore  etj.

Fituese u shpall firma “A.N.K. Shpk” e Ndue Kolës, me vlerë 21 milion Euro, ose sa 99.99% e fondit limit, Nuk ka pasur ankesa nga oligarkët Rrok Gjoka e Bashkim Ulaj, mbasi siç e thamë, njeri e ka nip Ndue Kolën, ndërsa tjetri e ka garues fiktiv e kontraktor punësh në tenderë të tjerë.

Pa dyshim, që Drejtori i Rrugëve, Evis Berberi, ia ka dhënë me urdhër të Bablokut e Ballukut, ndaj e ka lejuar marifetin e garës fiktive brenda familjes; siç iu dha dhe tenderi i Lotit të Parë të kësaj rruge në muajin shtator 2020, me vlerë 23 milionë Euro./Pamfleti