Pazare kriminale ndaj trashëgimisë historike- kulturore/ Objektet duheshin bërë me strukturë druri e pa asnjë lëndë inerte, mirëpo firma “HAKO” i ka bërë me hekur, beton e tulla, ndërsa sipas Prokurorisë së Sarandës, pronari Adnand Hako, bashkë me ish-ministreshën Kumbaro, kanë bërë dhe një kontratë tjetër të fshehtë për 12 vite, ndërkohë që nga 116 m2 në kontratë qiraje ka zaptuar 870 m2 e do vazhdojë me tepër me lejen e Bablokut
Përveç PPP-së për resort me vila, hotele, restorante disko e lojëra bixhozi, që ka nisur të japin Edi Rama e Elva Margariti në Butrint, brenda këtij parku arkeologjik, prej 5 vitesh është futur dhe firma e sallameve “Hako” me një PPP tjetër.
Është dhënë prej ish-Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, me Kontratë Enfiteoze Nr. 3681, datë 02.06.2017, lidhur me firmën “HAKO”, me objekt: “Dhënie me qira në zonën arkeologjike Butrint, për ndërtim objektesh biznesi, qebaptore, restorante, hotele e kënde lojërash.
Sipas raportit të KLSH, ky koncesion është shkelje e rëndë ligjore, me përmbajtje pazare korrupsioni me pronën publike dhe krim ndaj pasurive të trashëgimisë kulturore-historike.
Ish-ministrja Kumbaro, për t’i paraprirë këtij pazar- biznesi; ka nxjerrë Udhëzim nr. 5110, datë 13.10.2015 me përmbajtje: “Për administrimin me qira, të qendrave të trashëgimisë kulturore”, por këtë udhëzim e ndalon Neni 118 i Kushtetutës.
Pas denoncimit që bënë aktivistë të trashëgimisë kulturore, Prokuroria e Sarandës, më 15 tetor 2017 filloi hetimin dhe konstatoi se firma “Hako” ishte lejuar në shkelje të ligjit, po dhe kishte filluar ndërtime me hekur, beton e tulla, duke shkelur edhe vetë kontratën e paligjshme, në të cilën përcaktohej, se duheshin ndërtuar vetëm 60 m2 objekt me lartësi 1 kat, e me strukturë druri.
Firma “HAKO”, i kishte paraqitur Prokurorisë së Sarandës një kontratë tjetër ilegale me ish-ministren Kumbaro, që e lejonte të merrte e ndërtonte edhe 217. 38 m2 sipërfaqe brenda zonës qendrore, duke zaptuar e mbuluar me 153,45 m2 sipërfaqe zonë arkeologjike në proces kërkimesh.
Në aneksin nr.5 të kontratës fillestare Nr. 3681, datë 02.06.2017, thuhet se koncesioni është me afat 5 vite deri më 10 tetor 2022, dhe me vlerë totale investimi 300 000 Euro, ndërsa mashtrimi del në pikën 6 të kontratës, ku thuhet se vlera e investimit është 3.6 milionë lekë të reja.
Në Ligjin Nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, nuk ka asnjë nen që lejon ministren e Kulturës dhe as kryeministrin, që të japin me qira mjedise arkeologjike- muzeale.
Sipas KLSH, koncesioni Kumbaro- firma “HAKO”, ka abuzime të rënda ligjore dhe është i pavlefshëm; së pari, sepse Kontrata Noteriale mes tyre, nuk është regjistruar në Kadastër, megjithëse e detyron ligji, mbasi është “Kontratë Enfiteoze” që përmban dhe ndërtime objektesh.
Së dyti, ligji e lejon kontratën vetëm për 1 vit, por është dhënë për 5 vite me të drejtë rinovimi, ndërsa në pikën 5 të Plan-Biznesit që ka bërë firma HAKO e ka nënshkruar ministresha Kumbaro, thuhet se investimi është për 12 vite, i zgjatur me nga 3 vite kohë pas afatit të parë 5 vjeçar.
Pra, sallameria “Hako” do qëndrojë edhe 3 vite të tjera e do vazhdojë të ndërtojë objekte me hekur, tulla e beton për biznes qebaptore, restorante, hotele e kënde lojërash etj.
E pse të mos qëndrojë, të shkatërrojë me beton e të qelbë Butrintin me mbetje ushqimore e ujëra të zeza, kur nëpërmjet ish-ministres Mirela Kumbaro, Babloku ia ka dhënë koncesionin me qira 10 mijë lekë të reja në muaj dhe të drejtën për të ndërtuar objekte betoni.
Aktualisht, firma “Hako” ka zaptuar edhe 870 m2 të tjera me ndërtime e me vazhdim ndërtimesh betoni, ndërsa bosi i saj Adnand Hako ka nisur pazaret me ministreshën Elva Margariti, për të zgjatur koncesionin edhe 3 vite të tjera.(Pamfleti)