Ministri i Jashtëm i Moldavisë, duke folur për Sky News, deklaron se e ardhmja e vendit të tij dhe e Evropës në tërësi varet nga mënyra se si përfundon pushtimi rus në Ukrainë.
“E ardhmja e të gjithë kontinentit mbështetet në kapacitetin e Ukrainës për të ruajtur sistemin e saj politik, qëndrueshmërinë e vendit të saj. Në një farë kuptimi, fati dhe e ardhmja e çdo vendi në këtë pjesë të botës… varet nga mënyra se si përfundon kjo luftë, ku përfundon dhe kur përfundon”, ka thënë ndër tjera Nicu Popescu.
Deklaratat e tij vijnë pak ditë pasi presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka thënë se “shërbimet speciale” ruse qëndrojnë pas një serie shpërthimesh në një rajon separatist pro-rus të Moldavisë, Transnistria – që kufizohet me Ukrainën – i cili ka parë një numër sulmesh në ditët e fundit.