Policia në Tiranë ka vënë në pranga tre të rinj që hidhnin në qarkullim kartmonedha të falsifikuara. Bëhet e ditur se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pas disa javësh hetimesh organizuan operacionin e koduar “50 Dollars”.
Me finalizimin e këtij operacioni u arrestua 29-vjeçari Viard Kotori, 32-vjeçari Etmond Dokushi dhe 32-vjeçari Ervin Kamolli, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, kryer në bashkëpunim.
Të rinjtë dyshohet se kanë hedhur në qarkullim nëpër subjekte të ndryshme tregtare, në Tiranë dhe në qytete të tjera, kartëmonedha të prerjes 50 dollarë. Në total, sasia e parave të falsifikuara të hedhura në qarkullim është 3,650 dollarë amerikan.