Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj u përball për të 4-tën herë rradhazi në procesin e “Vettingut” në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, duke u njohur me vendimarjen e trupës gjykuese me kryesuese Ina Ramën, për çështjen e provave.
Ndryshe nga sa pritej për një proces maratonë, siç dhe ndodhi në 3 seancat e mëparshme, procesi i djeshëm doli në finish sa hap e mbyll sytë.
Ina Rama, me modestinë dhe klasin e saj, u tregua e shkathët për t’i dhënë fund seancës, pasi më parë kishte rrëzuar në seri një mori kërkesash të kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Seanca u shoqërua vetëm me një polemikë mes prokurores Elisabeta Imeraj dhe komisionerit Florian Ballhysa.
Shkak i këtij “debati” ishte një kartelë e një pasurie që gjendet në dosje dhe që pretendohet se është e falsifikuar.
Por Ballhysa tha se shkak i ankimit të tij në KPA të Elisabeta Imeraj është një titull pronësië dhe jo çertifikata e pronësisë, ndaj që nuk preferoi të jepte shpjegime të mëtejshme dhe aq më tepër shtoi se çertifikata e pasurisë nuk ishte paraqitur si provë.
Elisabeta Imeraj, e njohur si prokurorja e “hekurt” e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, autore e dhjetëra dosjeve penale në këtë prokurori dhe e vlerësuar maksimalisht edhe nga vetë kryeprokurorja e kohës Ina Rama, që sot e gjykon në “Vetting”, për rreth 20 minuta dëgjoi duke mbajtur shënime vendimin e KPA-së, që bënte fjalë për sa i përket pranimin dhe mos pranimit të provave dhe kërkesave të saj që i kishte paraqitur gjatë fazës së parashtrimeve.
Vendimi i lexuar nga Ina Rama rrëzoi pjesën më të madhe të kërkesave dhe provave të paraqitura nga Elisabeta Imeraj, duke u limitizuar në pranimin e vetëm fare pak kërkesave.
Me sa duket, trupa e KPA-së dhe vetë ndërkombëtarët e ONM-së kanë lexuar paraprakisht materialin e dërguar nga Imeraj dhe për pasojë, vendoson në mënyrë unanime mos pranimin dhe diskutimin e tyre në seancën gjyqëore.
Nëse do pranoheshin thuajse gjysma e kërkesave dhe disa dosje të rregjistruara në prokurorinë e Durrësit, automatikisht KPA-ja do sillte hapjen e “varrit” të procesit të “Vettingut” në Shqipëri dhe njëherësh do “kryqëzonte” disa prej komisionerëve të KPK-së, të pëfshirë në veprimtari të paligjshme.
E mbi të gjitha do nxirte në dritë marëdhëniet jashtëmartesore dhe lidhjet intime të pajustifikuara të disa prej vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit me administratën e seksit femër të “Vettingut”.
Vetëm dy dosje në prokurorinë e Durrësit, japin një tablo të errët të procesit të “vettingut” në shkallën e parë në Shqipëri, ku shantazhet, kërcënimet, gjobëvëniet, lidhjet intime e deri tek bullizmat e lidhjet politike, janë të pranishme.
Një ditë, vonë ose shpejt këto materiale do dalin dhe publikohen dhe padyshim që komisionerët e KPK-së nuk mund të mbulojnë më diellin me shoshë.
Ndërkohë të gjithë dëshmitarët e kërkuar nga Imeraj, përfshirë këtu dhe gazetarin Basir Çollaku, për të dëshmuar në seancën gjyqësore, janë rrëzuar nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, duke sjellë situatën që procesi të vijojë vetëm në argumentim juridik të provave shkresore.
KPA, me këtë vendimarje ka mbajtur një qëndrim të çuditshëm për shkak se nga njëra anë nuk pranon asnjë nga dëshmitarët e kërkuar nga Imeraj, dhe nga ana tjetër pranon gjykimin e ankimit të komisionerit publik të bërë nga një denoncues-dëshmitar, Rrahim Shehu dhe një femër që rezulton të jetë me të meta mendore.
Po kështu trupa gjykuese e konsideroi të panevojshme për zgjidhjen e çështjes thirrjen në cilësinë e dëshmitarit të dy anëtarëve të trupës së KPK që konfirmoi Imerajn, komisionerët Roland Ilia dhe Olsi Komici, si dhe përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs.
Prokurorja Imeraj gjatë fjalës së saj në dhënien e pretendimeve në parashtrime, argumentoi se komisionerët ishin fyer dhe shantazhuar nga vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, i cili ka influencuar dhe ndikuar në mënyrë të qëllimshme me qëllim shkarkimin nga detyra.
KPA, pranoi të merte si prova shkresore një sërë përgjigjesh të ardhura nga komisariatet dhe Interpol Tirana, se ish-bashkëshorti i Imeraj, nuk ishte arrestuar, dënuar në Shqipëri dhe në shtete të tjera të huaja. Gjithashtu pranoi dhe dokumentat dhe vendimet e gjykatës Italiane që tregonin, se ish-bashkëshorti nuk ishte dënuar por shpallur i pafajshëm me argumentin se fakti penal nuk ka ekzistuar fare.
Njëherësh KPA pranoi si gjetje dhe e administroi si provë me 4 fletë të paraqitura nga ONM në muajin shkurt 2022 se ish-bashkëshorti i Imeraj ishte i dënuar në Itali.
Pas vendimarjes të shpejtë dhe një diskutimi të shkurtës mes prokurores Imeraj dhe komisionerit Florian Ballhysa, trupa gjykuese vendosi të shtyjë seancën e rradhës për në datën 20 Prill në orën 13:00, duke i dhënë kohë të pranishmëve që të paraqiteshin me konkluzjonet përfundimtare.