Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest ne burg” për kreun e njësisë administrative Kallmet, Besnik Simoni dhe 41-vjeçarin Altin Marku.
Seanca u zhvillua në spitalin e Traumës në Tiranë ku po marrin mjekim, për shkak të plagëve të marra nga përplasja me armë ditën e premte në fshatin Kallmet.
Gjyqtari Artan Hajredinaj pranoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj që ata të qëndrojnë në burg.
Pas veprimeve hetimore, rezulton se ka patur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit dhe dy të plagosurve.
Sipas policisë në ngjarje janë përdorur dy armë, ndërsa ai që e ka nisur konfliktin dyshohet të ketë qenë 41-vjeçari Altin Marku. Ky i fundit është përplasur verbalisht në zyrë me kreun e Njesisë Administrative Besnik Simoni, konflikt i cili pak orë më vonë degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit nga të dy personat.
Në cilësinë e proves materiale policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë me një krehër me 6 fishekë, e cila dyshohet se është përdorur nga shtetasi Altin Marku, 19 gëzhoja si dhe dy automjete.
Ndërsa arma tjetër e përdorur në këtë ngjarje, e cila dyshohet të jetë përdorur nga kreu i Njesisë Administrative të Kallmetit Besnik Simoni, nuk është arritur ende të gjendet.
Ndaj dy të arrestuarve janë ngritur akuzat “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe materialet hetimore, janë referuar në prokurorinë e Lezhës.
Nga veprimet e kryera rezulton se konflikti mes Besnik Simonit dhe Altin Markut e kishte zanafillën kohë më parë.
Sipas burimeve Altin Marku e kishte sharë Besnik Simonin, teksa punonte në një rrugë me disa punëtore dhe në ato momente janë përplasur verbalisht me njëri-tjetrin.
Çështja mes tyre duket se nuk ishte zgjidhur dhe mesditën e së premtes, ata janë konflikuar sërish në rrugë, konflikt i cili degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.