Pas Plenumit të IV-t të Komitetit Qendror, strukturat e Partisë Komuniste, e vetë udhëheqësit, nisën të ‘spastrojnë’ nga radhët e kuadrove të institucioneve kulturore, çdo element që mund të kishte përbërje jo të mirë politike.
‘Operacioni’ nuk kurseu as emra që kishin një impakt publik të fortë dhe shpaloset përmes zbardhjes së dokumentit “Informacion i Sektorit të Arsimit dhe Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH lidhur me përbërjen “e keqe” politike të disa artistëve që punonin në institucionet kulturore artistike qendrore dhe propozim për largimin e tyre nga puna” në vëllimin III të botimit të Institutit të Historisë “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”.
Në këtë vëllim autorët Afrim Krasniqi, Beqir Meta e Hasan Bello përmbledhin dokumente të periudhës 1974-1976 një nga më kulminantet sa i përket nivelit të indoktrinimit kulturor në Shqipëri.
Ngjarjet e vitit 1974, ishin hallkat e zinxhirit që pasuan qëndrimin e Enver Hoxhës, kundër liberalizimit në kulturë e arte.
Ndër emrat e vendosur në “shënjestër” për t’u larguar nga strukturat artistike, rezulton të kenë qenë edhe aktorët e njohur Roza Anagnosti, Bujar Lako e Robert Ndrenika.