‘Nuk ka asnjë rrezik nga konsumimi i mishit të pulave dhe vezëve’, kështu deklaroi në ‘Repolitix’ specialisti veterinar, Edi Fero, pasi ngordhja e 340 mijë pulave për shkak të gripit të shpendëve ka ngritur shqetësimin e konsumatorëve se mos preken nga ky virus.
Fero theksoi se konsumatorët nuk rrezikohen as nga prekja e mishit të pulës që mund të ketë qenë e infektuar apo vezës dhe se konsumatorët duhet të qëndrojnë të qetë.
“Në këtë moment produkti që konsumohet nuk paraqet rrezik për të krijuar panik pasi sasia e këtyre stabilimenteve ka shkuar në treg. E gjithë sasia e vezëve ka shkuar në treg, por kjo sëmundje nuk prek njerëzit. Qoftë mishi apo vezët trajtohen në temperatura mbi 70 gradë nuk ka asnjë rrezik për konsumatorët. Nuk transmetohet sëmundja nga prekja e vezës apo pulës. Nuk kemi të bëjmë me një rrezik sa i përket konsumit të këtyre dy produkteve, konsumatorët duhet të jenë të qetë. Janë 500 mijë pula në treg që mungojnë. Kemi dhe pulari në gjendje normale që nuk janë prekur nga gripi dhe vazhdojnë aktivitetin”, tha Fero.