Shtohen dyshimet rreth zgjerimit të befasishëm të rrjetit të farmacive Ditë e Natë, të quajtura ndryshe si farmacitë e Ilir Beqjas, por që në letra figurojnë të kamufluara në emrin e një personazhi të quajtur Dorian Sadiku dhe të një polaku me lidhje të forta me qarqet ruse.
Të regjistruar si biznes farmaceutik në janar të vitit 2021, vetëm brenda një viti, në mënyrë të çuditshme dhe befasishme, farmacitë Ditë e Natë janë zgjeruar në më shumë se 50 pika, duke u kthye gati në monopol në Tiranë.
Gjatë vitit 2021 dhe dy muajit e parë të 2022, farmacitë ditë e natë kanë nisur të mbijnë në pika kyçe në Tiranë dhe Fier, pranë farmacive me aktivitet prej dekadash, duke i falimentuar, fakt që tregon për lidhjet e forta të këtij rrjeti të ri me kupolën e korruptuar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Edhe pse dyshohet se pas rrjetit të farmacive Ditë e Natë fshihet simboli i korrupsionit në Shqipëri Ilir Beqja, në letra pronar të farmacive ‘DITE E NATE Online’, janë kompania ‘Ditë e Natë’ me 90 % të aksioneve dhe polaku Szymon Kajetan Komorowski.
Ky i fundit mësohet se është monitoruar nga shërbimet për lidhje me qarqet ruse, pasi dyshohet si spiun dhe për misione armiqësore.
Pas kompanisë ‘Ditë e Natë’ që ka në pronësi të 90 % të aksioneve, qëndron një personazh anonim Klodiana Stopani që ka 10 % të aksioneve si dhe kompania “METRO FARMACI” që ka 90 % të aksioneve të ‘Ditë e Natë’.
Pronar i “METRO FARMACI” është Dorian Sadiku, një personazh i me aktivitet të dyshimtë në Portugali dhe Spanjë, ku veprojnë grupet më të fuqishme të drogës dhe kontrabandës. Pra, Dorian Sadiku është pronari kryesor i rrjetit të farmacive, ndonëse kamuflohet në tre kompani të ndryshme guaskë.
‘Metro Farmaci’ edhe pse nga emri duket si kompani farmaceutike, në fakt është një kompani ndërtimi me humbje nga viti në vit, e themeluar në vitin 2015.
‘DITE E NATE Online’ është themeluar me 100 mijë lekë në vitin 2021. ‘Ditë e Natë’ që kontrollon ‘DITE E NATE Online’ është themeluar me 100 mijë lekë në 2020. ‘Metro Farmaci’ që kontrollon dy të parat është themeluar në 2015 me 100 mijë lekë.
Pyetja që duhet të vërë në lëvizje Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, prokurorinë, SPAK etj., është se ku i ka marrë ky grup paratë për të hapur mbi 50 farmaci brenda vitit? A mos janë para që vijnë nga trafiku i drogës apo para të hedhura nga qarqet ruse? Vijon… / Pamfleti