Nis në GJKKO gjyqi ndaj Laert Haxhiut, dëshmon Xhuliano Xhaferraj: Më thanë se ai më vrau vëllain

Kronike

Publikuar: 28/07/2026

Nis në GJKKO gjyqi ndaj Laert Haxhiut, dëshmon Xhuliano Xhaferraj: Më thanë se ai më vrau vëllain

Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.

I pandehuri i ka dërguar gjykatës një deklaratë me shkrim, përmes së cilës shpreh vullnetin për të mos marrë pjesë në seancat gjyqësore. Megjithatë, ai ka bërë me dije se do të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj.

Gjykata njoftoi se procesi ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Në seancën e kësaj të marte janë paraqitur 12 dëshmitarë, të cilët do të japin dëshmitë e tyre në kuadër të shqyrtimit gjyqësor.

Ndër dëshmitarët e paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është edhe Xhuliano Xhaferraj, i cili pritet të dëshmojë lidhur me vrasjen e vëllait të tij, Fridman Xhaferraj. Ky i fundit u gjet i pajetë më 13 qershor 2021 në një rezervuar në Korçë, sipas versionit zyrtar të Prokurorisë.

Procesi gjyqësor vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga gjykata.

Pjesë nga seanca: 

Gjykata: Në këtë proces keni edhe cilësinë e viktimës. Sot jeni thirrur si dëshmitar ndaj Laert Haxhiut.

Gjykata: A keni qenë më parë i dënuar?

Dëshmitari: Po, për vjedhje.

Gjykata: Po tani?

Dëshmitari: Po, jam në Burgun e Fierit për vjedhje.

Prokurori i SPAK: Zoti Xhuliano, faleminderit që keni ardhur. Ju jeni këtu për të dëshmuar për vrasjen e vëllait tuaj, Fridman Xhaferraj.

Xhuliano Xhaferraj: Isha në burg, më çuan në komisariat dhe më pyetën: “A ke folur, a di gjë?” E verifikuan. Pas disa orësh e gjetën që ishte im vëlla.

Prokurori i SPAK: Të nxorën nga burgu?

Dëshmitari: Atë ditë u lirova me urdhër lirimi, sepse e mbarova dënimin. Nuk kisha marrë vesh gjë. Kur vajta në shtëpi, pashë policët që po bënin kontroll.

Prokurori: Kur u lirove, ku shkove?

Dëshmitari: Te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: A e kishin marrë vesh prindërit?

Dëshmitari: Nuk i kam prindërit.

Prokurori: Po vëllai Fridman ku jetonte?

Dëshmitari: Ai kishte ikur. Më kishte thënë se ishte jashtë. Kisha rreth 20 ditë që më kishte thënë në burg se do të ikte jashtë shtetit, në Itali. Unë isha ndarë dhe isha me fëmijët e me nusen, ndaj ai nuk më tregonte shumë. Ne ishim tre fëmijë: unë, Fridmani dhe Aleksandri. Atij i kishin prerë djemtë biletën dhe në Elbasan ishin ndarë. Ishte bashkë me Lul Spahinë dhe Kristi Bixherin. Këta emra m’i ka thënë vëllai tjetër. Kur Fridmani ishte gjallë, ishte me këta. Vëllai i vogël e la Fridmanin me Lulin dhe Kristin në Elbasan dhe ishte larguar. Fridmani do të ikte në Greqi.

Dëshmitari: Kaq di. Nuk di gjë tjetër, sepse kam qenë në burg.

Prokurori: Kur t’i tha këto vëllai, t’i tha në burg apo te shtëpia e vjehrrit?

Dëshmitari: M’i tha te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: Kush mendon se e vrau vëllain tënd?

Dëshmitari: Nuk e di. Qamili, babai i Laertit, më ka thënë nga afër se ata nuk kishin fare dorë, sepse i kemi tokat afër. Më foli në rrugë dhe më tha: “S’ka dorë djali im.” Unë iu përgjigja: “Nuk di gjë.”

Dëshmitari: Unë e pyeta se çfarë kishte ndodhur, sepse mora vesh që ishte përfolur se kishte qenë me Laertin. Kështu flitej në Lushnjë. Unë nuk di gjë fare.

Dëshmitari: Fjalët në Lushnjë ishin hapur se urdhrin për ta vrarë e kishte dhënë Laerti. Unë kam parë punët e mia.

/pamfleti