Lushnje/ Parakalimi i rrezikshëm shkakton aksident, familja me tre anëtarë përfundon në spital

Aktualitet

Publikuar: 28/07/2026

Lushnje/ Parakalimi i rrezikshëm shkakton aksident, familja me tre anëtarë përfundon në spital

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Pushimi i Shoferit-Fier Shegan, pranë daljes së fshatit Rrupaj.

Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka ndodhur mes dy automjeteve, njëri me targa greke dhe tjetri me targa italiane. Dyshohet se automjeti me targa greke ka tentuar të kryejë një parakalim, por manovra ka rezultuar e pasigurt, duke bërë që mjeti tjetër të humbë kontrollin dhe të dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.

Në automjetin me targa italiane udhëtonin tre persona, një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur. Të tre janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës me dy autoambulanca, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe po menaxhojnë qarkullimin në këtë segment rrugor.

Aksi Pushimi i Shoferit-Fier Shegan është një nga segmentet e konsideruara problematike për shkak të rrugës së ngushtë dhe fluksit të lartë të automjeteve, ndërsa aksidentet në këtë zonë janë raportuar të shpeshta.