Shqiptari injoron policin në Gjermani, shkakton aksident me kamionin me defekt

Aktualitet

Publikuar: 23/07/2026

Shqiptari injoron policin në Gjermani, shkakton aksident me kamionin me defekt

Një shofer shqiptar 24-vjeçar është proceduar nga autoritetet gjermane pasi injoroi urdhrin e policisë për të mos vijuar udhëtimin me një kamion që kishte defekte të rënda teknike, duke shkaktuar më pas edhe një aksident në autostradën A93, pranë Kiefersfelden.

Sipas policisë gjermane, kamioni me targa greke u ndal fillimisht në pikën kufitare për një kontroll rutinë, gjatë të cilit u konstatuan probleme serioze teknike. Inspektimi zbuloi një sërë defektesh, përfshirë xhamin e përparmë të plasaritur, sistem ndriçimi pjesërisht jashtë funksionit, elementë të pasiguruar të kabinës dhe probleme të shumta në rimorkio, si bulona të liruar në rrota, gomë të dëmtuar, ngarkesë të pafiksuar siç duhet dhe amortizatorë ajri të konsumuar.

Për shkak të gjendjes së mjetit, autoritetet ndaluan vazhdimin e udhëtimit, sekuestruan targat e kamionit dhe i vendosën drejtuesit një garanci financiare për procedurat administrative. Ekspertët vlerësuan se rimorkioja nuk ishte më ekonomikisht e riparueshme. Megjithatë, një ditë më vonë, policia konstatoi se kamioni ishte larguar nga vendi ku ishte bllokuar. Pas kërkimeve, mjeti u gjet në një tjetër parking të autostradës, pa targa dhe me dëmtime të reja në pjesën e pasme.

Fillimisht, 24-vjeçari mohoi të ishte përfshirë në ndonjë aksident, por më pas pranoi se kishte goditur një barrierë metalike gjatë një manovre mbrapa dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes pa njoftuar autoritetet. Dëmet materiale të shkaktuara në barrierë llogariten në disa mijëra euro. Me urdhër të Prokurorisë, ndaj shoferit është vendosur një tjetër garanci financiare për largim nga vendi i aksidentit, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se shkeljet do të trajtohen si të kryera me dashje, pasi ai shpërfilli ndalimin e qarkullimit, çka pritet t’i sjellë një gjobë edhe më të rëndë.