Gjykata e Tiranës nis “pushimet e verës”, pezullon shortin që nga 24 korriku

Aktualitet

Publikuar: 23/07/2026

Gjykata e Tiranës nis “pushimet e verës”, pezullon shortin që nga 24 korriku

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë do të hyjë praktikisht në ritmin e pushimeve verore një javë më herët se zakonisht. Me një urdhër të firmosur më 22 korrik nga kryetari në detyrë i gjykatës, Gerd Hoxha, është vendosur ndërprerja e regjistrimit me short të çështjeve të reja civile dhe penale duke filluar nga data 24 korrik deri më 1 shtator 2026.

Në praktikë, kjo do të thotë se, ndonëse tradicionalisht muaji gusht konsiderohet periudha e pushimeve në sistemin gjyqësor, këtë vit Gjykata e Tiranës e nis kufizimin e aktivitetit që në fund të javës së fundit të korrikut.

Sipas urdhrit, nga data 24 korrik nuk do të hidhen më në short çështjet e zakonshme civile dhe penale. Deri më 23 korrik do të pranohen kërkesat për regjistrim, ndërsa pas kësaj date gjykata do të trajtojë vetëm çështjet që konsiderohen urgjente.

Në listën e çështjeve që do të vazhdojnë të shqyrtohen gjatë kësaj periudhe përfshihen masat e sigurimit, kërkesat për pezullimin e veprimeve përmbarimore, sigurimi i padisë, çështjet që lidhen me të miturit, urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, masat e përkohshme familjare, ekstradimet, sekuestrimet, kontrollet e banesave, si dhe procedurat e tjera që nuk mund të presin përfundimin e pushimeve gjyqësore. Për këto raste do të funksionojë sistemi i gjyqtarëve të gatshëm, sipas grafikut të miratuar nga gjykata.

Vendimi vjen në një periudhë kur edhe vetë orari administrativ i Gjykatës së Tiranës është reduktuar për sezonin veror. Që prej fillimit të korrikut, sportelet e gjykatës funksionojnë me orar të shkurtuar, nga ora 08:00 deri në 13:00, regjim që do të vijojë deri në fund të muajit gusht.

Edhe pse aktiviteti i zakonshëm gjyqësor ngadalësohet, urdhri synon të garantojë që çështjet me ndikim të menjëhershëm mbi liritë, të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve të mos mbeten pezull gjatë periudhës së pushimeve. Në këtë mënyrë, sistemi gjyqësor hyn në regjimin veror, por ruan funksionimin për rastet që ligji i konsideron prioritare./ ekofin.al