Territorialja/ Mazniku: Opozita ka djegur në mënyrë sistematike afatet, qytetarët shqiptarë s’kanë kohë për të humbur

Politikë

Publikuar: 15/07/2026

Territorialja/ Mazniku: Opozita ka djegur në mënyrë sistematike afatet, qytetarët shqiptarë s’kanë kohë për të humbur

Mbledhja e radhës e komisionit të posaçëm për reformën territoriale ka nisur me debate mes pozitës dhe opozitës. Bashkëkryetari  Arbjan Mazniku, theksoi se axhenda dhe kalendari i punës së komisionit janë propozuar me data dhe afate të përcaktuara, ndërsa theksoi se procesi është penguar me qëllim nga ana e opozitës.

Mazniku tha se gjatë këtyre nëntë muajve nga konstituimi i komisionit, opozita ka pasur qasje për shtyrjen e afateve në mënyrë të vijueshme, ndërsa mazhoranca ka qenë e hapur për të akomoduar kërkesat e saj.

“Po, axhendën e kemi propozuar ne. Kemi propozuar axhendën dhe kalendarin e punës, me kolona, data dhe afate të përcaktuara.

Ajo që na ka karakterizuar në mënyrë konstante ka qenë një axhendë e qartë nga ana e opozitës për të djegur afatet e vendosura. Që nga data e konstituimit kanë kaluar 9 muaj. Ka pasur raste kur është thënë: ‘Jo këtë javë, sepse kemi protestë.’ Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të akomoduar çdo kërkesë të opozitës. Mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe ka përgjegjësinë, si edhe barrën qeverisëse. Axhenda, në mënyrë sistematike, është penguar nga opozita. Duhej të kishim zhvilluar shumë më tepër takime dhe të kishim përfunduar dëgjesat tematike, por kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zhvilluar mbledhje nga ana juaj.”

Mazniku theksoi se reforma nuk mund të shtyhet më, pasi lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 dhe objektivin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2029. Ai shtoi se çdo vonesë do të shtynte efektet e reformës deri në vitin 2031, duke u kushtuar qytetarëve gati një dekadë të humbur.

Unë e kam kërkuar këtë mbledhje për raportin që para tre javësh. Kemi diskutuar për tre javë për të ardhur deri në ditën e sotme. Nuk mund të vijmë në një komision dhe të themi se nuk janë bërë punët, ndërkohë që jemi në një komision me paritet të plotë. Kujt i kërkohet llogari për axhendën? Kuvendi ka kërkuar që kjo punë të përfundojë brenda 9 muajve.

Kërkesa ime ka qenë sistematike dhe e thjeshtë, të dëgjojmë sot ekspertët, të bazohemi te dëgjesat dhe te debati që është zhvilluar, e më pas të shohim nëse mund të shkojmë me një raport në Kuvend në seancën e datës 23. Ne nuk mund të shkojmë në datën 23 në Kuvend pa një raport dhe pa dëgjuar ekspertët”, tha Mazniku.