Marrja e trofeut të review-ve negative nga Lëvizja Bashkë është review-ja më e keqe për politikën e tyre

Analizë

Publikuar: 14/07/2026

Marrja e trofeut të review-ve negative nga Lëvizja Bashkë është review-ja më e keqe për politikën e tyre

Nga Bjorn Runa

Prej disa ditësh tashmë, parti politike dhe figura publike që vetëm i janë sjellë rrotull protestës, po përpiqen të lajnë fushatën e review-ve negative të rreme, duke e përshkruar atë si “bojkot” dhe “aktivizëm konsumator.” Në këtë tentativë kanë thirrur në ndihmë shembuj nga historia dhe krahasime me lëvizjet për të drejta qytetare apo ato që synojnë presion ekonomik. Problemi është se ka një dallim thelbësor mes rëfuzimit në shenjë proteste të blerjes së një produkti a shërbimi dhe një fushate ombrellë ndaj çdo biznesi që perceptohet si jo në anën e protestës, duke i nxitur njerëzit të bëjnë komente negative mashtruese për shërbime që në fakt nuk i kanë marrë asnjëherë.

Rasti më domethënës i kësaj është ai Lëvizjes Bashkë. Nuk ka arsye për t’u befasuar kur parti si Shqipëria Bëhet apo Mundësia bien në populizëm banal se asnjëra prej tyre nuk ka pretenduar se ofron ndonjë gjë më shumë dhe askush nuk pret ndonjë gjë më shumë nga ata. Por në dallim prej tyre, Lëvizja Bashkë është përpjekur prej kohësh të ndërtojë imazhin e një force progresive social-demokrate, duke qenë ndoshta i vetmi grupim politik që ka diçka të ngjashme me një shtyllë kurrizore politike.

Ndaj edhe dëshira e tyre e ethshme për t’u njohur si promovuesit kryesorë të fushatës së review-ve të rreme negative të bën përshtypje. Përfaqësues dhe aktivistë të saj e paraqesin përfshirjen në këtë fushatë si një lloj trofeu politik, kur në të vërtetë është review-ja më e keqe që mund të shkruanin për veten në sytë e njerëzve. Në fakt, kjo më shumë se sa vetë fushata tregon diçka të rëndësishme rreth situatës politike aktuale të LB.

E gjendur e rrethuar dhe e margjinalizuar në sheshin e protestës, bota online është hapësira e vetme ku partia e drejtuar nga Z. Qori mund ta shfaqë ekzistencën e vet. Në rrugë, aty ku e ka humbur autoritetin (paradoksale për një parti që në emër ka fjalën ‘Lëvizje’) me aftësi edhe më të pakëta për t’i dhënë drejtim ngjarjeve, LB duket e gatshme të durojë çdo lloj nonsensi dhe broçkullash që dalin nga mikrofoni i protestës. Në vend që të sfidojë degradimin e saj të përditshëm në dhunë herë fizike e ca më shpesh intelektuale, partia e Z. Qori dëgjon me seriozitetin më të madh edhe gjepurat më qesharake, e gatshme të justifikojë çdo gjë, a thua se çdo absurdi që del nga podiumi duhet mbrojtur vetëm për faktin se flet në emër të protestës.

Irelevantë në shesh, aktivistë dhe përfaqësues të Lëvzjes Bashkë nuk humbasin megjithatë rastin për ta rigjetur militantizmin e tyre online, e vetmja hapësirë ku mund të duket me ndikim, teksa në shesh partia po dështon. Madje, njeriu pyet veten si jua justifikojnë eurodeputetëve që takojnë, përkrhajen në heshtje të dhunës dhe linçimit, por edhe aleancat e shfaqjet krah disa prej figurave publike më konservatore… Njerëz të njohur si konservatorë fetarë dhe luftëtarë të hapur të betejave kundër grupimeve si LGBTQIA+.

Për një forcë politike që premton transformime radikale, e gjithë kjo është në vetvete një formë e mjerë radikalizmi. Nuk i jep dot protestës një drejtim politik koherent, por mund të kërcënojë me review negative profilet e restoranteve në Google. Nuk formulon dot kërkesa politike konkrete e të arritshme, por mund të mobilizojë njerëz të shtypin butonin e dhënies një yll ndaj bizneseve.

Është e trishtë sepse mund ta kishin shfrytëzuar identitetin e tyre ideologjik për t’i rezistuar këtij degradimi. Mund t’i kishin kërkuar dhe “imponuar” protestës një qartësi politike, por me sa duket kanë zgjedhur nënshtrimin intelektual në shesh, për ta shfaqur agresionin vetëm në sferën digjitale.

Tani, meqë e kërkojnë kaq me ngulm t’u njihen meritat për fushatën e review-ve negative, ndoshta duhet t’jua japim sepse ajo fushatë ofron review-në më të saktë rreth kësaj partie si një grup njerëzish të zhurmshëm në Facebook, ndërsa në rrugë mbeten politikisht impotentë dhe ta paaftë për të udhëhequr. Një parti që politikisht meriton një gjysmë ylli.