Ashtu si ditët e tjera, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” e më pas kanë vijuar me marshimin e tyre drejt Kryeministrisë.
Aty, disa prej tyre janë ngjitur duke mbajtur fjalime, teksa kujtojnë dhe deklaratat e Kryeministrit Rama.
Njëri prej tyre tha: “Kryeministri na quan sorra e korba, por harron që ne jemi bijtë e shqiponjave. Korbat dhe sorrat ai i ka në qeverinë e vet”.
Një protestuese, emigrante nga Italia që tha se vjen nga një familje e persekutuar, akuzoi Sali Berishën se i ka gënjyer këto familje duke mos ua kthyer pasuritë. Më pas, ajo kërkoi sekuestrimin e pasurive të kreut të PD dhe kryeministrit Rama.
“Vij nga një familje e persekutuar. Berisha gënjeu të gjithë të persekutuarit dhe ish-pronarët dhe nuk u dha pasuritë e veta. Kemi 30 vite nëpër gjyqe që nga Berisha dhe tani me sistemin më të korruptuar të Edi Ramës! Unë nuk dua t’i shoh në burg Ramën dhe Berishën, por të merren zvarrë dhe t’u merren gjithë pasuritë”, tha emigrantja.