Kokainë rozë, armë dhe pajisje policie, autoritetet spanjolle arrestojnë 24-vjeçarin shqiptar

Kronike

Publikuar: 08/07/2026

Kokainë rozë, armë dhe pajisje policie, autoritetet spanjolle arrestojnë 24-vjeçarin shqiptar

Nga Maria Pentinat, EL CASO

Pistoleta, kokainë rozë dhe pajisje të falsifikuara të Mossos d’Esquadra.

Këto janë sendet që agjentët e policisë katalanase gjetën brenda makinës së një të riu 24-vjeçar, i cili tashmë është arrestuar. Policia e akuzon të riun, pa precedentë penalë dhe me shtetësi shqiptare, siç ka mësuar ElCaso.com, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe mbajtjes së paligjshme të armëve.

Ngjarja ndodhi të enjten, më 2 korrik, rreth orës 15:30, në plazhin Cala Boadella, në këtë komunë të provincës së Girona-s.

Agjentët e policisë katalanase e panë të riun me sjellje të dyshimtë brenda makinës së tij dhe vendosën ta ndalonin për ta identifikuar.

Gjatë kontrollit të automjetit, Mossos d’Esquadra gjetën një armë zjarri të gjatë, një armë të shkurtër dhe pajisje që imitonin ato të policisë.

Mes sendeve të sekuestruara kishte jelekë me logon e policisë, lidhëse plastike (brida) dhe radio-komunikimi (walkie-talkie) të ngjashme me ato që përdor policia katalanase për komunikim.

Përveç kësaj, agjentët gjetën edhe tri pako me kokainë rozë, e njohur edhe si Tusi. Nuk është bërë publik pesha e saktë e drogës së sekuestruar.

Pas ngjarjes, i riu u arrestua nën akuzat për trafikim të lëndëve narkotike dhe mbajtje të paligjshme të armëve. Ai u dërgua në komisariat, në pritje që të dalë para gjykatësit kujdestar të Gjykatës së Blanes.

Tashmë Mossos d’Esquadra kanë hapur një hetim për të zbuluar se për çfarë i shërbenin të gjitha këto pajisje.

Po hetohet nëse ai kryente grabitje duke u shtirur si polic dhe, nëse rezulton se ishte autor i vjedhjeve, nëse vepronte i vetëm dhe prej sa kohësh ky shtetas shqiptar, i cili deri më tani nuk ka precedentë penalë në Spanjë, vepronte në rrugët e Katalonjës.