Drejtori ‘aligator’ i korrupsionit ka sajuar dy tenderë të rinj një javë para pushimeve: 10.2 milionë për rrugë (edhe pse ARRSH i ka zhvilluar) dhe 720 mijë për ‘konsulencë’ të 100 fshatrave turistikë, një projekt i mbyllur prej 2 vitesh pas vjedhjes së 110 milionë eurove. SPAK e ka marrë në pyetje për dy dosje; pastrim parash dhe 500 milionë lekë për restorantin e djalit, por nuk e ka arrestuar ende…
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është denoncuar me prova si një nga 4 “gropat e zeza” më të mëdha për korrupsion me fondet publike dhe fondet e BE-së, ndërsa drejtori Dritan Agolli është faktuar si firmosës i aferave me miliona euro, mes tyre tenderë fiktivë për të vjedhur.
Të njëjtën gjë, drejtori Dritan Agolli ka bërë më 19 e 22 qershor 2026, duke sajuar dy tenderë me vlerë totale 12.72 milionë euro me TVSH, për dy shërbime që janë dukshëm të sajuara për të zhvatur këto fonde, një javë para shkuarjes në plazh.

Procedurat e prokurimit për 2 tenderët, Agolli i ka publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 29 qershor, me këto objekte:
· Procedura e parë është për përmirësimin e sigurisë, qëndrueshmërisë e funksionalitetit të rrugëve, me fond limit 10.2 milionë euro me TVSH, që do të zhvillohet më datë 27 korrik 2026
· Procedura e dytë është për konsulencë, projektim e mbikëqyrje të 100 fshatrave, me fond 720 mijë euro me TVSH, të miratuara nga Ministria e Financave dhe do të zhvillohet më 24 korrik.
Për të krijuar mundësinë e harresës së vjedhjeve të mundshme, drejtori Dritan Agolli ka përcaktuar periudhë 2-vjeçare si kohë për zbatimin e kontratave, siç ka vepruar dhe me shumë tenderë të tjerë të sajuar gjatë 7 viteve e gjysmë drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i emëruar nga Edi Rama dhe oligarku Bashkim Ulaj, që e kishte punonjës.
Tenderi i parë është sajuar e shpallur vetëm 1 javë pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zhvilluar tenderët për të njëjtin objekt: mirëmbajtje, përmirësim sigurie dhe funksionaliteti të rrugëve në të katër rajonet e vendit.
Ndërsa tenderi për shërbime konsulence, projektimi e mbikëqyrje të 100 fshatrave turistikë është plotësisht fiktiv, sepse ky projekt dështoi, u mbyll dhe është bërë nul para dy vitesh, pasi u vodhën 110 milionë euro nëpërmjet tenderëve fiktivë që sajoi e zhvilloi drejtori Dritan Agolli.
Por Dritan Agolli, drejtori “aligator” i korrupsionit, nuk po preket nga SPAK-u, megjithëse është marrë 1 herë në pyetje për dy dosje hetimore:
· Njëra për pastrim parash në ndërtime e restorante nëpërmjet gruas dhe djalit.
· Tjetra për abuzim me fondet dhe shpërdorim detyre me tenderët, duke i dhënë restorantit të djalit 500 milionë lekë nga buxheti i shtetit, për gjoja përgatitjen e menuve të 100 fshatrave turistikë.
Fakti që SPAK nuk e arreston, madje nuk po e procedon as penalisht e ta pezullojë nga detyra, i ka krijuar Dritan Agollit bindjen se është i paprekshëm, duke vazhduar të bëjë batërdi me tenderët, të cilët u jep klientëve oligarkë e trafikantë që i paracakton me Edi Ramën./Pamfleti