Kryeministri Rama paralajmëroi në konferencën rajonale “Nga Prona tek Progresi”, para dy ditësh, një “reformë të thellë me bashkimin e agjencive”, duke nënkuptuar bashkimin e ASHK me ATP (Agjencia e Trajtimit të Pronave) dhe agjenci të tjera ekzistuese. “Sepse të pasurit e agjencive të veçanta dhe të ndara nuk e kanë ndihmuar procesin, sepse kur agjencitë shkojnë në drejtime përkatëse kanё krijuar më tepër konfuzion dhe kanё sjellë më tepër telashe. Tani, besoj se kemi një ide të qartë dhe të mirë se si ta formësojmë administratën e pasurive të paluajtshme nga A-ja tek Zh-ja, me bashkimin e një sërë agjencish në një” – tha ai.
Në krah të tij, duke mburrur punën e ASHK, ishte drejtoresha Lorena Goxhobelli dhe në sallë manari i saj “kamarieri” Ardit Kasemi, drejtori fuqiplotë i Kadastrës për gjithë Shqipërinë.
Por Rama nuk e di që problemi i ASHK-së dhe pronave të shqiptarëve, nuk janë agjencitë e shkëputura nga njëra-tjetra, as teknologjia e lartë që përdorin ato. Në çdo rast, pas kompjuterit, pas teknologjisë ka njerëz. Janë njerëzit që e bëjnë “Diellёn” të dalë keq. Ata e korruptojnë edhe atë.
Ardit Kasemi, është Drejtor i Drejtorisë së Kadastrës dhe Monitorimit të Titujve të Pronësisë për gjithë Shqipërinë. Praktikisht ka në dorë më shumë se “pronarja” e tij Lorena Goxhobelli, që e katapultoi në këtë post para 9 muajsh.
Krahu i djathtë i “shefes” habiti të gjithë habitatin e ASHK-së me emërimin në këtë pozicion kyç. Pa asnjë ditë eksperience në këtë institucion, ardhur nga pozicioni i një nëpunësi dytësor në Drejtorinë Rajonale të Sigurimit Shëndetësor, u vendos si “mbikëqyrësi” me portofol i kadastrës shqiptare.
Askush nuk kuptoi pse një tip pa asnjë background në këtë fushë, u soll për dore nga drejtoresha Goxhobelli, për t’i dhënë në duar çelësat e kadastrës.
Klani i “Shullanit të Dibrës” është shumë i fortë, thonë burimet te kadastra. Ata mposhtin edhe vetë Goxhobellin.
Ardit Kasemi është vëllai i Arbies Kasemit, krahut të djathtë të Gëzim Hoxhës, vëllait të ministrit të jashtëm Ferit Hoxha. Emri i Gëzim Hoxhës dhe i kompanisë kryesore të tij “First” gjendet në shumë faqe dhe fashikuj të dosjes së AKSHI-t. Aktiviteti i Hoxhës me kompanitë “First” dhe “Intelisoft” kanë një “tru” nga pas, inxhinierin elektronik Arbies Kasemi.
Klani “Kasemi” ka edhe një mburojës tjetër në sistemin e drejtësisë. Babai i Ardit dhe Arbies Kasemi është Hamit Kasemi, OPGJ në Prokurorinë e Përgjithshme, i emëruar nga Arta Marku, si rreth i ngushtë i saj, në 2018, në kohën kur kjo e fundit bëri qokat e fundit para largimit të saj. Kasemi, nga jurist te Spitali i Burgjeve, bëhet oficer i lartë në prokurorinë qendrore, duke ndihmuar edhe djemtë e tij në zanatet e tyre.
Ardit Kasemi në CV e tij fsheh eksperiencën e vetme dhe shumëvjeçare si kamarier i lokalit të njohur “Dreri” në hyrjen lindore të Liqenit Artificial.
Asnjë mungesë respekti për kamarierët, shoferët, recepsionistët apo infermierët. Janë punë të nderuara që shqiptarët i bëjnë me dinjitet. Por një drejtues i lartë në një vend delikat si është Kadastra, ka nevojë për eksperiencën më të mirë dhe profesionistët më të talentuar që në Shqipëri po largohen çdo ditë e më shumë prej meritokracisë “Kasemi”.
Lorena Goxhobelli, ka pjesën e saj në këtë emërim, sado të imponuar. Shkatërrimin e sektorit të Kadastrës nga “kamarier” Kasemi, ajo e ka përcjellë me të njëjtën padijeni, si Mirlinda Karçanaj, me shoferin e saj Daniel Shima, që e bëri nënkryetar të AKSHI-t.
Të dyja institucionet kyçe të vendit, ASHK dhe AKSHI, kanë të njëjtin stil pune, gra që s’dinë se ç’bëjnë burrat që i urdhërojnë. Dhe një fije që i lidh në mënyrë të padukshme siç janë vëllezërit Kasemi.