Një protestues, i cili është me hundën e fashuar, ka shkuar deri në pikën sa t’u vërë ngjitës lenteve të kamerave, ndërsa edhe kërcënon gazetarët. Raportohet se kjo nuk është hera e parë pasi veprimet e tij vijojnë prej disa ditësh.
Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje të tjerëve për të shmangur sjellje të tilla.
“Mos sulmoni mediat dhe gazetarët, nëse keni ndonjë gjë me mediat bëni pankarta”, është shprehur ai.
Edhe ditën e djeshme, protestuesit sulmuan gazetaren e Top News, Keida Muka gjatë raportimit duke e shtyrë dhe lagur me ujë.
Edhe më 30 qershor, një grua që u prezantua si gazetare shqiptare në Athinë u bë objekt i dhunës nga protestuesit, vetëm sepse dikush e etiketoi si “patronazhiste”.
Ndërsa e ndiqnin me gisht, mes turmës, një nga pjesmarrësit i derdhi asaj mbi kokë një shishe me lëng frutash. U desh ndërhyrja e një pjesmarrëse në protestë, për të shmangur linçimin e mëtejshëm të emigrantes.