Një sasi prej 46 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis sativa është sekuestruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë skanimit të bagazheve të pasagjerëve të një fluturimi me itinerar Toronto–Rinas, u identifikuan dy valixhe që ngjallën dyshime për përmbajtje të kundërligjshme.
Pas kontrollit fizik, të kryer në prani të poseduesve të bagazheve, autoritetet sekuestruan 46 kilogramë Cannabis sativa, të ndara në 89 paketime.
Personat e përfshirë, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet me dije, së bashku me lëndën narkotike të sekuestruar, iu dorëzuan strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë vijuar veprimet procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.