Ekrem Bajroviç dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në Kosovë

Aktualitet

Publikuar: 03/07/2026

Ekrem Bajroviç dënohet me 12 vjet burgim në rigjykim për krime lufte në Kosovë

Gjykata në Prishtinë e ka dënuar të premten me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviçin, në rigjykimin e tij për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ’99.

Bajroviç u shpall fajtor përsëri për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve shqiptarë në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshatrat tjera përreth të Komunës së Istogut në fillim të vitit 1999.

Ai u dënua në rigjykim pasi rasti kundër tij ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme vitin e kaluar.

Gjykata Themelore e kishte dënuar me 12 vjet burgim atë edhe në korrik të vitit 2024 dhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar atë aktgjykim duke e hedhur poshtë ankesën e palës mbrojtëse më 2025.

Megjithatë, Gjykata Supreme e pranoi ankesën e mbrojtjes më 2025 dhe e rrëzoi aktgjykimin ndaj Bajroviçit, duke thënë se disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se për këtë rast kishin dhënë deklarata edhe para autoriteteve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por ato nuk ndodheshin në shkresat e lëndës.

Gjykata kishte vlerësuar se këto deklarata duhej të siguroheshin dhe të shqyrtoheshin së bashku me provat e tjera.

Bajroviq ka të drejtë ankese edhe ndaj dënimit të tanishëm në shkallë të parë.

Për çfarë krimesh u dënua Bajroviqi?

Sipas aktgjykimit, më 7 dhe 8 maj të vitit 1999, Bajroviq mori pjesë në një aksioni të forcave serbe kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat e Istogut, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.

Bajroviq i ndau burrat dhe gratë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, duke i plaçkitur dhe më pas forcat serbe i dërguan ata në një shtëpi në Staradran, duke i “pushkatuar të paktën 16 civilë të kombësisë shqiptare”, sipas gjykatës.

Po ashtu, sipas gjykatës, më 7 maj të 1999, Bajroviq kishte marrë pjesë në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të kombësisë shqiptare, ashtu që fillimisht të dëmtuarit [burrat] i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore”.

Ndërsa, më 8 maj 1999, të ndaluarit i kishin dërguar në stacionin policor në Gurrakoc, ku kolonës i printe” i akuzuari Bajroviq.

Bajroviqit, në kuadër të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, pra nga 19 tetori i vitit 2022.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë – shumica shqiptarë – ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë./REL