Projekti lulsoz i Kushner përplaset me pakënaqësinë shqiptare

Botë

Publikuar: 22/06/2026

Projekti lulsoz i Kushner përplaset me pakënaqësinë shqiptare

Nga Andrew Higgins

Protestat në Shqipëri kundër planeve për një kompleks luksoz turistik janë kthyer në një çështje ndërkombëtare për kundërshtarët e presidentit Donald Trump dhe familjes së tij. Por thelbi i tyre mbetet kryesisht lokal.

Prej më shumë se tri javësh, protestuesit janë mbledhur paqësisht në Tiranë, ndërsa një pjesë e opinionit amerikan i ka paraqitur si rezistencë ndaj Trumpit, Izraelit dhe lakmisë së elitave të pasura. Protestat nisën pas publikimit të një videoje ku roje private sigurie tërhoqën me forcë një protestues në një zonë bregdetare në jug të Shqipërisë, aty ku Jared Kushner dhe investitorë nga Gjiri synojnë të zhvillojnë një projekt turistik me vlerë të vlerësuar mbi 4 miliardë dollarë.

Për të majtën amerikane, protestuesit shqiptarë po kundërshtojnë korrupsionin e familjes Trump dhe “miliarderët grabitqarë”. Ndërsa nga e djathta konspiracioniste amerikane, protesta është interpretuar si kundërshtim ndaj Izraelit apo ndaj planeve për krijimin e një “ishulli të ri Epstein” në brigjet shqiptare. Por vetë protestuesit në Shqipëri thonë se kjo nuk është arsyeja e tyre.

“Askush nuk po proteston kundwr Trump-it apo Izraelit,” thotë Elis Kodra, 33 vjeç, i cili ka dalë në një tubim para zyrës së kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, protesta është kundër gjithçkaje tjetër: kundër një sistemi politik që, qysh prej rënies së komunizmit, është dominuar nga të njëjtat figura, dhënia e kontratave shtetërore për miqtë e biznesit dhe nga shpërfillja e shqetësimeve ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Protesta nisi pas shfaqjes së një gardhi metalik me tela me gjemba në një plazh pranë fshatit Zvërnec, në një zonë të klasifikuar si “peizazh i mbrojtur”, ku ndërtimi lejohet në rrethana të caktuara. Zona, bashkë me ishullin e Sazanit, është pjesë e projektit të propozuar turistik. Kompania e lidhur me Kushnerin, Sazan Real Estate Development L.L.C., tha se rojet e përfshira në incident ishin të një kontraktori të tretë dhe se sjellja e tyre nuk pasqyron standardet që priten nga palët e përfshira në projekt.

Qeveria u përpoq të qetësonte zemërimin publik duke hequr licencat e dy kompanive private të sigurisë, duke shkarkuar shefin lokal të policisë dhe duke urdhëruar çmontimin e gardhit. Megjithatë, protestat vazhduan dhe bulevardi qendror i Tiranës u kthye në një tubim të përnatshëm qytetar, të quajtur “revolucioni flamingo”, në referencë ndaj jetës së pasur të shpendëve në zonën e mbrojtur.

Çdo mbrëmje në protestë shpaloset një pankartë e madhe në anglisht: “Albania is not for sale.”

Kryeministri Edi Rama tha se është takuar në janar në Tiranë me Ivanka Trump, bashkëshorten e Jared Kushner, dhe me një ekip arkitektësh të lidhur me projektin. Megjithatë, ai këmbënguli se nuk është nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Sipas tij, ishulli në qendër të projektit është pronë shtetërore, nuk është shitur dhe nuk do të shitet.

Rama i cilësoi pretendimet online se ndërtimi ka nisur si pjesë të një “uragani histerie digjitale”, megjithëse pranoi se në terren ka pasur disa përgatitje, përfshirë hapjen e një rruge me zhavorr nëpër pyll.

Ndërsa disa protestues kanë mbajtur pankarta në anglisht kundër Kushnerit dhe Ivanka Trumpit për të tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, zemërimi kryesor i protestës drejtohet ndaj Ramës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, udhëheqës i opozitës kryesore. Protestuesit kanë brohoritur: “Rama në burg, Berisha në burg.”

Rama, i cili fitoi mandatin e katërt si kryeministër pas fitores së thellë të Partisë Socialiste vitin e kaluar, tha se shqiptarët po përdoren si “mish për top” në një betejë në SHBA dhe Europë kundër Trumpit. Ai tha se valët online të pretendimeve të ekzagjeruara për numrin e protestuesve, dezinformimi mbi qëllimet e protestës dhe raportimet e rreme për përplasje të dhunshme tregojnë se “demokracitë po kryejnë vetëvrasje” duke lejuar që “ky helm dhe ky infeksion” të gërryejë trupin e tyre.

Megjithatë, edhe vetë qeveria ka hyrë në këtë përplasje online, duke pretenduar se Irani ka nxitur protestat për t’u hakmarrë ndaj Shqipërisë për strehimin e grupit opozitar iranian Mujahedeen Khalq. Zyrtarë qeveritarë kanë sugjeruar gjithashtu se industria turistike në Greqinë fqinje, e shqetësuar nga konkurrenca shqiptare, ka nxitur apo madje financuar protestuesit.

Elez Biberaj, politolog dhe ish-drejtues i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, thotë se protestat nuk janë kundër familjes Trump, por shprehin “kolapsin e besimit publik te i gjithë sistemi politik” në Shqipëri.

Sipas artikullit, ky kuptim lokal është humbur shpesh në përkthim. Një vend i vogël, ndër më të varfrit dhe më pro-amerikanët në Europë, me më pak se tre milionë banorë, është kthyer në një kauzë globale si për të majtën, ashtu edhe për të djathtën në platforma si TikTok, X dhe Instagram.

Analisti Lutfi Dervishi thotë se është rritur para rënies së komunizmit duke e parë SHBA-në si simbol të sundimit të ligjit dhe lirisë së medias. “Nuk e kisha menduar kurrë, as në ëndrrat më të çmendura, se amerikanët do të kërkonin frymëzim te Shqipëria,” shprehet ai.

Protestuesit kanë marrë mbështetje sidomos nga progresistët amerikanë. Bernie Sanders i përshëndeti në X si pararojë të rezistencës kundër “oligarkisë globale”, ndërsa Rachel Maddow i përshkroi protestat si kundër korrupsionit të Donald Trumpit dhe familjes së tij.

Në të djathtën amerikane, figura konspirative si Alex Jones i kanë paraqitur protestat si përpjekje për të rimarrë tokën nga “Izraeli, Kushneri, Rothschildët dhe Ivanka Trump”, duke pretenduar në mënyrë të rreme se Shqipëria po shkon drejt luftës civile me shpërthime dhe sulme me mitraloz. Artikulli thekson se këto pretendime nuk janë të vërteta.

Në rrjet janë shpërndarë edhe video të vjetra nga trazira në Tiranë, të paraqitura si dhunë e tanishme kundër Trumpit dhe familjes së tij, si dhe pamje nga tifozë spanjollë futbolli në veri të Spanjës, të etiketuara në mënyrë të rreme si protestë anti-Trump në Tiranë.

Disa forma mbështetjeje online për protestat kanë rrëshqitur edhe në retorikë hapur antisemitike, me pretendime se hebrenjtë duan të pushtojnë pjesë të Shqipërisë dhe t’i nënshtrojnë shqiptarët, shumica e të cilëve janë nominalisht myslimanë, të njëjtit fat si palestinezët. Kjo i ka shqetësuar disa protestues, të cilët druhen se aktivistë të huaj po përpiqen të rrëmbejnë kauzën e tyre.

Baki Goxhaj, aktivist pro-palestinez dhe mysliman praktikant nga Vlora, thotë se u ka kërkuar të tjerëve të mos thërrasin slogane kundër hebrenjve. Sipas tij, protesta “nuk është kundër Trumpit apo kundër hebrenjve”, por kundër “qeverisë sonë shumë të korruptuar”.

Një nga çështjet më të ndjeshme në protestë lidhet me tokën. Në Shqipëri, prona mbetet një plagë historike, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës konfiskoi të gjithë pronën private pas marrjes së pushtetit në vitin 1944. Pas rënies së komunizmit, gjykatat shqiptare u përballën me një mori pretendimesh të rivalizuara nga ish-pronarët dhe trashëgimtarët e tyre.

Gentian Mocka, 56 vjeç, thotë se familja e tij ka luftuar për dekada në gjykata për të rimarrë mbi 91 hektarë tokë të konfiskuar nga regjimi komunist. Sipas tij, prona më vonë është marrë në mënyrë të paligjshme nga një avokat lokal që ka punuar për Artur Shehun, një shqiptar që jeton në Miami. Kjo tokë është pjesë e një parcele të shitur partnerëve nga Katari të lidhur me projektin turistik të Kushnerit.

SPAK lëshoi javën e kaluar një urdhër-arresti për Artur Shehun, shtetas amerikan i natyralizuar, duke e akuzuar për blerje toke dhe përdorim të projekteve të ndërtimit në Shqipëri për pastrim parash për trafikantë droge. Rama tha se të ardhurat nga shitja e tokës te investitorët nga Katari janë ngrirë, por vetë shitja mbetet në fuqi.

Shehu nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Më herët, ai i kishte quajtur “fake news” akuzat për takime me trafikantë droge dhe kishte thënë se shitja e tokës te Kushneri dhe investitorët ishte kryer përmes një ndërmjetësi të paidentifikuar.

Mocka thotë se, nëse arrin ta rimarrë tokën, familja e tij do ta shiste me kënaqësi për projektin e Kushnerit. “E gjithë familja do të shesë dhe thjesht do që kjo histori të marrë fund,” thotë ai.

Rama tha se protestuesit janë të lirë të mblidhen paqësisht para zyrës së tij, duke shtuar se “Shqipëria nuk është diktaturë”. Por ai këmbënguli se protesta nuk do ta ndalë projektin turistik të Kushnerit.

“Ai nuk do të anulohet,” tha Rama. “Kjo është e sigurt.”

/New York Times