Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit? Faturat e kripura që do paguajnë shqiptarët nga “gabimet” e drejtësisë  “alla Sevdari”!(Rastet)

Aktualitet

Publikuar: 22/06/2026

Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit? Faturat e kripura që do paguajnë shqiptarët nga “gabimet” e drejtësisë  “alla Sevdari”!(Rastet)

Teksa Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritej të hynte në fazën vendimtare të certifikimit dhe operimit, beteja është zhvendosur nga kantieri në sallat e gjyqeve. Një përplasje mes aksionerëve, e cila fillimisht dukej si konflikt korporativ, po merr përmasat e një çështjeje që mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, me pasoja potencialisht të rënda për buxhetin e shtetit shqiptar.

Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë i riktheu biznesmenit Behgjet Pacolli dhe kompanisë së tij MABCO Constructions SA të drejtën e administrimit të aeroportit, një tjetër vendim gjyqësor, i dhënë më 6 qershor nga Gjykata e Shkallës së Parë, e bllokoi zbatimin e këtij vendimi, duke krijuar një situatë të paprecedentë juridike dhe operacionale. MABCO e konsideron veten të përjashtuar faktikisht nga kontrolli i investimit të saj.

Në komunikimet zyrtare drejtuar institucioneve shqiptare, kompania pretendon se nuk ka akses në kantier, nuk kontrollon proceset operacionale dhe nuk mund të ushtrojë të drejtat që i burojnë nga pozicioni i saj si aksioneri dominues në projekt.

Paralajmërimi është i qartë: nëse shteti shqiptar nuk ndërhyn për të rikthyer normalitetin institucional dhe kontraktual, çështja do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar.

Një zhvillim i tillë do të hapte një kapitull të ri në historinë e gjatë të përballjeve të Shqipërisë me investitorët e huaj. Dhe precedentët nuk janë aspak inkurajues.

Rasti më i njohur mbetet ai i biznesmenit italian FrancescoBecchetti. Pas mbylljes së Agon Channel dhe sekuestrimit të aseteve të tij, tribunali ndërkombëtar e gjeti Shqipërinë përgjegjëse, duke e dënuar me një faturë që kalon 100 milionë euro. 

Një vendim që vazhdon të rëndojë mbi financat publike dhe reputacionin e vendit ndaj investitorëve.

Si drejtësia “alla Sevdari” mund ti kushtojë Shqipërisë miliona Euro

Po të doni të kuptoni se si ka funksionuar drejtësia shqiptare para dhe pas reformës, nuk ka nevojë të humbni kohë me teori: rasti Francesco Becchetti dhe prokurorja Antoneta Sevdari është një manual i gjallë i lidhjeve, favoreve, dështimeve, manipulimeve dhe mbulimeve institucionale brenda sistemit të drejtësisë.

Rasti i sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, ish-pronari i televizionit “Agon Channel”, është bërë objekt i një arbitrazhi ndërkombëtar në ICSID që ka përfunduar me një dënim prej mbi 120 milionë euro ndaj shtetit shqiptar, dënim që buron drejtpërdrejt nga veprimet e paligjshme dhe të dështuara të prokurores Sevdari gjatë hetimit penal kundër tij.

Qeveria e Shqipërisë në vitin 2015 e kishte mbyllur një televizion, mbyllje kjo, e cila i ka kushtuar shtetit me padi në Gjykatën e Arbitrazhit.

Sipërmarrësi italian Francesco Becchetti, ish-pronari i televizionit “Agon Channel”  paditi  Shqipërinë duke kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej 1.2 miliardë euro. Nga tre procese, ai fitoi vetëm njërin që lidhej me sekuestrimin e televizionit Agon Channel, që më pas u mbyll.

Avokatja e Shtetit, Enkelejda Muça gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve asokohe  deklaronte  se dëmi mund të kishte qenë dhjetëfish më i madh, duke e hedhur përgjegjësinë në kurriz të drejtësisë vendase.

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit gjykoi se pala shqiptare kishte shkelur ligjet ndërkombëtare.

Ishte kërcënimi kryeministrit Rama dhe kryetarit të bashkisë  Veliaj që çuan në mbylljen e Agon Channel

1. Çështja ICSID dhe  abuzimi që u kthye në katastrofë financiare

Në procedimin Hydro S.r.l. dhe të tjerë v. Republika e Shqipërisë (ICSID Case No. ARB/15/28), gjykata ndërkombëtare arriti në përfundimin se:

Hetimi penal ndaj Becchetti-t ishte i pajustifikuar, i pabazuar në prova, dhe në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e investitorëve.

U vërtetua se prokurorja Antoneta Sevdari, në cilësinë e përfaqësueses së akuzës, ka vijuar me masa si sekuestrime dhe urdhra arresti në kundërshtim me ligjin, edhe pasi ICSID kishte urdhëruar pezullimin e tyre.

Madje edhe Interpol dhe autoritetet italiane kishin paralajmëruar Sevdarin për shkeljet e rënda procedurale që po kryente.

Gjykata ICSID citoi në mënyrë eksplicite:

mangësinë e njoftimeve të ligjshme për të pandehurit,

sekuestrim të pasurive pa vendime gjykate,

veprime të njëanshme në mungesë të provave,

mosrespektim të urdhrave të arbitrazhit ndërkombëtar dhe një hetim që sipas gjykatës, ishte një instrument për persekutim politik dhe ekonomik.

2. Skandali vazhdon në Londër: Gjykata britanike denoncon mashtrimin nga autoritetet shqiptare

Në vitin 2016, Gjykata e Magjistraturës së Westminsterit refuzoi kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Becchetti-t dhe De Renzis, pasi:

Qeveria shqiptare kishte dërguar një dokument pa emër, pa datë, me përmbajtje të rreme për ligjin shqiptar,

Gjyqtari e cilësoi këtë dokument si “manipulim të procesit” dhe “mashtrim përpara gjykatës”, edhe pse nuk provoi që ai të ishte dorëzuar me “keqbesim zyrtar”.

Vendimi është i qartë: kishte abuzim të thellë nga organet shqiptare dhe manipulim të qartë për të ndëshkuar një investitor që nuk i ishte përkulur pushtetit.

3. Dhe më pas, skandali institucional: Vettingu që nuk donte të shihte

Kjo është pjesa më e rëndë. E njëjta prokurore, AntonetaSevdari, që me veprimet e saj çoi në një dënim kolosal të shtetit shqiptar, i është nënshtruar procesit të vettingut. Por, siç dëshmohet nga dokumentet e KPA, në mënyrë skandaloze:

Ka ekzistuar një denoncim me shkrim për hetimin e saj ndaj Becchetti-t, i dorëzuar pranë Institucionit të KomisionerëvePublikë dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Ky denoncim është shënuar zyrtarisht në pikën 12 të faqes 7 të Vendimit të KPA, që shqyrton kërkesën e saj për rikthim në detyrë.

Por KPA as nuk e ka shqyrtuar, as nuk e ka përmendur në analizën përfundimtare. Asnjë arsye, asnjë justifikim.

Pra, pavarësisht dëmit të provuar, pavarësisht vendimeve ndërkombëtare që e përmendin me emër, pavarësisht denoncimit zyrtar në ONM, procesi i vetingut i Sevdarit është trajtuar si një formalitet i pastër, duke mbuluar autoren e një dëmi prej 120 milionë euro.

4. Favorizim midis kolegësh dhe një sistem që vetëamnistohet

Të gjithë ata që janë të përfshirë në proceset e vettingut, në KPA, apo edhe në ONM, e kanë ditur për këtë denoncim. E kanë parë. Dhe kanë zgjedhur të mos flasin. E kanë arkivuar, e kanë heshtur.

Ky është rasti ideal për të kuptuar se si funksionon drejtësia në Shqipëri, para dhe pas “reformës”.

Një hetim penal i ndërtuar mbi bosh, një prokurore që injoron arbitrazhin ndërkombëtar dhe mashtron gjykatat britanike, dhe më pas… të njëjtët kolegë, ish-kolegë, dhe miq që e “pastrojnë” në vetting me sy mbyllur.

Në një vend normal, për një prokurore që ka “djegur” 120 milionë euro nga taksat publike, do të ishin hapur dosje, do të ishin ngritur aktakuza, do të ishin dorëhequr njerëz.

Lista e miliona eurove të humbura në Arbitrazh:

Kompania greke Copri Actors fitoi arbitrazhin lidhur me mosmarrëveshjet për autostradën Tiranë-Elbasan, duke siguruar një dëmshpërblim prej rreth 42.4 milionë eurosh. Po ashtu, shteti shqiptar mban ende detyrime prej 13.4 milionë eurosh ndaj kompanisë italiane Construzioni Dondi, pas prishjes së njëanshme të një kontrate për sistemin e kanalizimeve në Tiranë.

Një tjetër humbje e kushtueshme ishte ajo ndaj GBC OilCompany Ltd., ku tribunali arbitral vendosi kundër Shqipërisë dhe Albpetrolit, duke njohur një detyrim prej mbi 12 milionë eurosh për shkelje të pretenduara të stabilitetit fiskal në kontratat hidrokarbure.

Pikërisht për këtë arsye, sinjalet që vijnë nga konflikti i Aeroportit të Vlorës po ndiqen me shqetësim nga ekspertët e arbitrazhit dhe investimeve.

Ndërsa pistat janë gati për avionët, duket se beteja e vërtetë po zhvillohet larg aeroportit. Dhe nëse përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, kostoja mund të jetë shumë më e lartë sesa çdo vonesë në ndërtim.