Zhdukja misterioze e Eglant Koçit, merret në pyetje vëllai i autorit të dyshuar. Armand Shakaj ka ndërruar disa numra celulari

Kronike

Publikuar: 12/06/2026

Zhdukja misterioze e Eglant Koçit, merret në pyetje vëllai i autorit të dyshuar. Armand Shakaj ka ndërruar disa numra celulari

Ndërkohë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të Eglant Kocit, që dyshohet se është vrarë, Prokuroria e Tiranës dhe grupi hetimor i policisë kanë marrë në pyetje Brunald Shakajn, vëllain e të dyshuarit Armand Shakaj.

Kjo, pasi, siç thanë burime të sigurta të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, nga veprimet speciale hetimore ka të dhëna se ai ka dijeni për vendfshehjen e të vëllait. Një nga veprimet që ka kryer së fundmi i riu është mbushja e telefonit të të kërkuarit, që deri më 5 qershor ka ndërruar disa numra.

Sakaq, prokuroria ka pranuar si veprim përdorimin e IMSI-catcher, raporton Anila Hoxha për gjurmimin e telefonëve të të kërkuarit, i cili vazhdon të fshihet në Tiranë. Një anëtar i grupit hetimor tha se, meqenëse deri më tani nuk po gjendet asnjë gjurmë e të riut, pavarësisht kërkimeve në periferi të Tiranës, do të kërkohet ndihma nga pala e Kosovës për qen nuhatës. Ky diskutim është bërë orët e fundit mes anëtarëve të grupit hetimor, ndërsa është provuar se Eglanti, pasi hyri në lokalin e mikut të tij Shakaj, nuk doli më.

Ka dyshime, bazuar te këqyrjet e kamerave, se trupi i tij është mbajtur një ditë e gjysmë në këto ambiente dhe më pas është transportuar me automjet nga Shakaj, i cili ka marrë një karroatrec që e ka lënë në zonën e Ibës.