Deri në 721 € në muaj? Ja sa kushton të jetosh me qira në kryeqytet

Ekonomi

Publikuar: 12/06/2026

Deri në 721 € në muaj? Ja sa kushton të jetosh me qira në kryeqytet

Qiraja mesatare e apartamenteve në Tiranë për vitin 2026 ka arritur në 721 euro në muaj, duke e bërë strehimin një nga sfidat më të mëdha financiare për qytetarët dhe familjet.

Sipas standardeve ndërkombëtare të përballueshmërisë së strehimit, një familje ose individ nuk duhet të shpenzojë më shumë se 30% të të ardhurave mujore për qira. Kur kjo përqindje tejkalohet, konsiderohet se familja përballet me vështirësi financiare për të mbuluar kostot e banimit.

Situata bëhet edhe më e rëndë kur llogariten të ardhurat neto. Me një pagë mesatare neto prej rreth 740 eurosh në muaj, qiraja mesatare përthith afërsisht 97% të të ardhurave, duke e bërë strehimin praktikisht të papërballueshëm për një person me të ardhura mesatare.

Edhe familjet me dy të punësuar përballen me vështirësi. Një familje me dy të rritur dhe një fëmijë, me të ardhura mesatare bruto rreth 182 mijë lekë në muaj, duhet të shpenzojë rreth 39% të buxhetit për qiranë. Nëse llogariten të ardhurat neto, kjo peshë arrin afërsisht 49%.

Përveç kostove të larta të strehimit, familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për ushqime. Sipas të dhënave të fundit, ushqimet dhe pijet joalkoolike përbëjnë rreth 40% të shpenzimeve mujore familjare, një nivel shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Në vitin 2024, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht rreth 93 mijë lekë në muaj për konsum. Nga kjo shumë, rreth 36,900 lekë u përdorën për ushqime dhe pije joalkoolike.

Ndërkohë, çmimet e qirave në Tiranë vijojnë të mbeten të larta, sidomos në zonat më të kërkuara pranë qendrës. Apartamentet e tipologjisë 1+1 në këto zona jepen me qira nga 600 deri në 900 euro në muaj, ndërsa në periferi çmimet luhaten zakonisht nga 400 deri në 500 euro.

Në disa zona të kryeqytetit është regjistruar rritje e mëtejshme e qirave gjatë vitit 2026. Pranë stadiumit “Dinamo”, qiratë për apartamente 1+1 variojnë nga 500 deri në 1,000 euro në muaj, ndërsa pranë Liqenit Artificial çmimet maksimale kanë arritur deri në 1,500 euro. Në zonën e Komunës së Parisit dhe Rrugës së Kosovarëve, apartamente të ngjashme janë ofruar deri në 900 euro në muaj.

Ekspertët e tregut vlerësojnë se rritja e çmimeve lidhet jo vetëm me kërkesën e lartë për banesa, por edhe me zgjerimin e qirave afatshkurtra për turistët. Kjo ka reduktuar numrin e apartamenteve të disponueshme për qira afatgjata dhe ka shtuar presionin mbi tregun. /Monitor

Vetëm në Tiranë, numri i apartamenteve të listuara për qira afatshkurtër është rritur nga rreth 1,000 njësi në vitin 2021 në rreth 5,200 njësi në vitin 2025. Në nivel kombëtar, numri i apartamenteve të ofruara përmes platformave të qiradhënies afatshkurtër ka arritur në mbi 26 mijë njësi, me një rritje prej rreth 25% krahasuar me një vit më parë.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në shtrenjtimin e qirave është edhe rritja e vazhdueshme e çmimeve të apartamenteve për shitje, veçanërisht në zonat pranë qendrës së Tiranës.