Kryeministri Edi Rama ka ironizuar protestën e mbajtur një ditë më parë në Zvërnec kundër ndërtimit të resortit, ndërsa protestuesit bënë thirrje për anulimin e projektit dhe mbrojtjen e natyrës.
Shefi i qeverisë ka ndarë një foto të makinave të protestuesve, të cilët i kishin parkuar mbi dunat me rërë fare pranë plazhit, ndërsa me ironi u bën thirrje “revolucionarëve” që të mos ua zhvirgjërojnë plazhin flamingove me makinat e tyre dhe as me plehrat që kanë lënë pas.Rama shkruan se do kujtojnë zogjtë se nisi ndërtimi i parkimit dhe do marrin “arratinë”, siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë.
“MIRËMËNGJES dhe me një lutje të përulur revolucionarëve, që kur të shkojnë herë tjetër në atë breg për t’u qarë hallin flamingove, të mos i bëjnë për të qarë duke ua zhvirgjëruar plazhin me makinat e tyre – se do kujtojnë të shkretët zogj se filloi ndërtimi i parkimit aty, e do marrin arratinë siç e kishin marrë përpara moratoriumit 10 vjeçar të gjuetisë – po t’i lënë rrotat tek rruga automobilistike e të ecin si flamingo deri tek buza e detit pa u trembur nga papastërtitë, por mundësisht pa i shtuar ato si dje që i kishin lënë mbrapa kanoçet e birrës, ju uroj të gjithëve një të diel të qetë?”, shkruan Rama në postimin e tij.