Tragjedia në Shëngjin – Hetimet zbulojnë detaje të reja për mbytjen e dy të rinjve nga Kosova

Aktualitet

Publikuar: 04/06/2026

Tragjedia në Shëngjin – Hetimet zbulojnë detaje të reja për mbytjen e dy të rinjve nga Kosova

Një ngjarje e rëndë ka tronditur bregdetin e Shëngjinit pasditen e së mërkurës, ku dy të rinj nga Kosova kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë kanë shpëtuar dhe po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Lezhës.

Viktimat janë identifikuar si Leonit Aliu, 22 vjeç, dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç. Sipas informacioneve, të pesë të rinjtë ishin pjesë e stafit organizator të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike “Unum”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 në zonën e “Ranës së Hedhun”. Të rinjtë kanë hyrë në det pavarësisht dallgëzimit të fuqishëm të shkaktuar nga era e fortë, duke u përballur menjëherë me rrezikun e mbytjes.

Në ndihmë të tyre kanë ndërhyrë fillimisht disa qytetarë me mjete lundruese (jet ski), të ndjekur nga Policia Kufitare, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe ekipet e emergjencës. Megjithëse pesë të rinjtë u nxorën nga uji dhe u transportuan me urgjencë në spital, dy prej tyre nuk arritën të mbijetonin.

Prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vëmendja është përqendruar te masat e sigurisë të zbatuara nga organizatorët e festivalit.

Në zonën e plazhit të marrë me qira për aktivitetin mungonin kullat e vrojtimit dhe elementet e tjera të sigurisë të detyrueshme me ligj. Gjithashtu po verifikohet nëse stafi i punës ishte instruktuar mbi rreziqet dhe procedurat e sigurisë.