Replika të forta janë zhvilluar sot në Kuvend mes deputetit të Vlorës, Pirro Vengu, dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në qendër të debatit ishte çështja e Zvërnecit dhe protestat e ditëve të fundit, por Vengu nuk kurseu ironitë as ndaj deputetit Agron Shehaj dhe zërave të tjerë të opozitës që, sipas tij, po mbajnë qëndrime kontradiktore ndaj investimeve të mëdha në vend.
Gjatë fjalës së tij, Vengu akuzoi kundërshtarët politikë se kanë ndryshuar qëndrim për të ndjekur klimën e krijuar në rrjetet sociale, duke i cilësuar si politikanë “pa bosht”.
“Shoh këtu që ka disa kolegë që kanë zbuluar romantizmin anti-kapitalizëm ditët e fundit sepse konsiderojnë që kjo protestë qenka interesante dhe duan të bëhen pjesë edhe ata. Deri para pak ditësh flisnim për tapete të kuq që duhet t’u shtronim atyre që sillnin 1 miliardë, 2 miliardë apo më shumë në vendin tonë. Është e lehtë në botën e medias sociale të jesh politikan pa bosht”, deklaroi Vengu.
Vengu pati edhe një përplasje të drejtpërdrejtë me Berishën, duke reaguar ndaj komenteve për prejardhjen e tij familjare.
“Jam krenar për prejardhjen time suljote dhe për mamanë time minoritare. Jemi lodhur t’ju dëgjojmë si hije nga e kaluara që nuk largohet nga ky Kuvend”, iu përgjigj Vengu.
Në fund të fjalës së tij, deputeti i Vlorës theksoi se qytetarët e qarkut që përfaqëson nuk kanë nevojë për miratimin e askujt për të vendosur për të ardhmen e tyre.
“Vlonjatët nuk ju kërkojnë leje dhe nuk kanë nevojë të marrin leje nga ju”, përfundoi ai.