Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm kryeqytetin, ku një efektiv i Gardës së Republikës është gjetur i pajetë në banesën e tij. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 42-vjeçari i ka dhënë fund jetës duke u vetëqëlluar me armën e shërbimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:05, në zonën e Rrugës së Dibrës, ku autoritetet kanë konstatuar pa shenja jete 42-vjeçarin me inicialet A. G., punonjës i Gardës së Republikës.
Burime paraprake bëjnë me dije se viktima është gjetur brenda banesës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
“Më datë 27.05.2026, rreth orës 07:05, në banesën e tij, në Rrugën e Dibrës, është konstatuar pa shenja jete shtetasi A. G., rreth 42 vjeç, punonjës i Gardës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.