Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke shfuqizuar si antikushtetues vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për masën e sigurimit “arrest në burg”, për mungesë arsyetimi në lidhje me:
1. “Dinjitetin dhe prezumimin e pafajësisë”, lidhur me qëndrimin e tij në kafazin/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor;
2. Proporcionalitetin e masës së sigurimit në raport me të drejtën për t’u zgjedhur.
Tanimë do të jetë në dorë të Gjykatës së Lartë për të vendosur për masën e sigurisë së Kryetarit të Bashkisë sipas praktikës së re të unifikuar pak javë më parë. Sipas 5 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendimi për t’a rikthyer është marrë duke pasur parasysh vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë, në vendimin që do duhet të rimarrë për qytetarin e parë të Tiranës, do duhet të arsyetojë a është proporcionale masa “arrest me burg” në raport me pozicionin që Veliaj ka si kryebashkiak.
Në vendimmarrjen e saj, Gjykata Kushtetuese thotë se “në aspektin substancial, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e lirisë personale në drejtim të proporcionalitetit të masës të lidhur me të drejtën për t’u zgjedhur, të cilin Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi”
Kështu, Gjykata e lartë, do duhet të arsyetojë pse nuk prevalon e drejta për tu zgjedhur dhe ushtrimi i detyrës si kryebashkiak, përballë masës ekstreme të sigurisë?
Me rikthimin e çështjes Veliaj në duart e tyre, togat e zeza duhet të arsyetojnë pse është e nevojshme arresti me burg. Dhe sipas vendimit unifikues, të vetë Gjykatës së Lartë marrë më 4 maj për praktikën e arrestit, treshja gjykuese duhet të arsyetojë shprehimisht përse masat e sigurisë alternative më pak kufizuese të lirisë personale, nuk janë të mjaftueshme, në rastin konkret ndaj kryebashkiakut.
Gjykata Kushtetuese gjen të paarsyetuar nga Gjykata e Lartë, edhe rrëzimin e kërkesës së Veliajt për të qëndruar jashtë kafazit të xhamtë gjatë seanca gjyqësore, për çështjen ku ai është i pandehur në Gjykatën e Posaçme.
Në këtë pikë Kushtetuesja pranoi kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës në rekurs, për “cenimin e dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë lidhur me qëndrimin në kafaz”.
Njëkohësisht, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të formojë shumicën e nevojshme të votave, duke u ndarë 4 me 4, në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të “mosrëndimit të pozitës” (reformatio in peius), për shkak të marrjes së provave të reja në apel gjatë shqyrtimit të masës së sigurimit.
Kjo përbën fitoren e dytë të Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, pas vendimit të mëparshëm lidhur me mandatin e kryebashkiakut të Tiranës.
Më poshtë gjeni njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese;
Në datën 25.05.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftësuar me vendimin nr. 14, datë 12.02.2025 të po asaj gjykate, nr. 13, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në ankimin kushtetues individual, e shqyrtoi çështjen në themel vetëm në drejtim të pretendimeve për aspektin procedural dhe atë substancial të caktimit të masës së sigurimit “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.
Ne aspektin procedural, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Se drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për njohjen me aktet e dosjes dhe të qëndrimit të kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar.
ii) Parimit reformatio in peius (mosrëndimit të pozitës) të lidhur me marrjen e provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata nuk arriti numin prej pesë votash për vendimmarrje, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës ai konsiderohet i rrëzuar.
Në aspektin substancial, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:
i) Dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë të lidhur me qëndrimin e kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi pranimin e tij, në drejtim të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë të këtij pretendimi të parashtruar në rekurs nga kërkuesi.
ii) Lirisë personle në drejtim të:
2.1. Dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj kërkuesit të lidhur edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë për shkak të gjuhës së përdorur në arsyetimin e vendimeve të gjykatave. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar. 2.2. Proporcionalitetit të masës të lidhur me të drejtën për t’u zgjedhur të cilin Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi.
Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.