Falcone-Borsellino, dy gjyqtarët që sfiduan Cosa Nostrën deri në vdekje

Botë

Publikuar: 24/05/2026

Falcone-Borsellino, dy gjyqtarët që sfiduan Cosa Nostrën deri në vdekje

34 vite pas masakrës së Capacit, Italia kujton dy simbolët e drejtësisë që sfiduan Cosa Nostrën deri në flijim.

Më 23 maj 1992, një shpërthim i fuqishëm tronditi autostradën pranë Capacit, në hyrje të Palermos. Nën asfaltin e rrugës, mafia kishte vendosur rreth 500 kilogramë eksploziv. Në momentin që kolona e makinave kaloi mbi të, shpërthimi hapi një krater të madh dhe i mori jetën gjyqtarit Giovanni Falcone, bashkëshortes së tij Francesca Morvillo dhe tre truprojave.

Ishte fillimi i luftës më të ashpër mes shtetit italian dhe Cosa Nostrës.

Vetëm 57 ditë më vonë, më 19 korrik 1992, mafia goditi sërish. Në Via D’Amelio të Palermos, një makinë-bombë shpërtheu pranë banesës së nënës së Paolo Borsellinos. Gjyqtari u vra bashkë me pesë efektivë të eskortës së tij.

Dy atentatet hynë në histori si momenti më dramatik i betejës moderne kundër mafias italiane.

Sot, 34 vite më pas, Italia i kujton Falcone dhe Borsellino jo vetëm si magistratë, por si simbolë të guximit civil dhe të luftës kundër krimit të organizuar.

Në Palermo, mijëra studentë, gjyqtarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionesh marshuan në vendet simbol të masakrave mafioze. Presidenti italian Sergio Mattarella deklaroi se sakrifica e tyre mbetet “një pikë referimi etike e pazëvendësueshme për ndërgjegjen demokratike të vendit”.

Por historia e Falcone dhe Borsellinos nuk nisi me atentatet. Ajo nisi vite më parë, në një Siçili ku mafia kishte depërtuar në çdo hallkë të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore.

Dy miq nga Palermo

Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino u rritën në të njëjtin lagje të Palermos, Kalsa. Fëmijë, luanin në të njëjtat rrugë ku më vonë do të sundonte mafia.

Të dy u bënë gjyqtarë dhe në vitet ’80 hynë në grupin e famshëm antimafia të krijuar nga gjyqtari Rocco Chinnici dhe më pas i drejtuar nga Antonino Caponnetto.

Aty lindi “pool antimafia”, skuadra e parë e prokurorëve që vendosi të hetojë mafian si një organizatë të vetme dhe jo si krime të izoluara.

Falcone solli revolucion në hetime. Ai ndoqi gjurmët e parave, analizoi lidhjet financiare të Cosa Nostrës dhe ndërtoi marrëdhënie me FBI-në amerikane për të zbuluar trafikun ndërkombëtar të heroinës.

Falcone-Borsellino, dy gjyqtarët që sfiduan Cosa Nostrën deri

Në vitin 1984 erdhi kthesa vendimtare: mafiozi Tommaso Buscetta, i njohur si “bossi i dy botëve”, pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.

Për herë të parë, shteti italian mori një pamje të plotë të strukturës së Cosa Nostrës.

Nga dëshmitë e Buscettas lindi “Maxiprocesso”, gjyqi më i madh kundër mafias në historinë italiane.

Gjyqi që tronditi mafian

Në vitin 1986, në një bunker të ndërtuar posaçërisht pranë burgut Ucciardone në Palermo, nisën proceset ndaj qindra mafiozëve.

Mbi 470 të akuzuar u ulën në bankën e të pandehurve. Për herë të parë, shteti italian godiste kupolën e Cosa Nostrës si një organizatë kriminale të centralizuar.

Falcone dhe Borsellino jetonin të izoluar, nën mbrojtje të vazhdueshme, të vetëdijshëm se kishin hyrë në shënjestër.

Në vitin 1987, gjykata dha qindra dënime dhe burgime të përjetshme. Mafia kuptoi se kishte humbur paprekshmërinë e saj historike.

Por ndërsa në publik Falcone dhe Borsellino u kthyen në simbol të shtetit, brenda institucioneve shpesh mbetën të izoluar.

Falcone u sulmua politikisht, u akuzua se kërkonte protagonizëm dhe u pengua disa herë në karrierë. Megjithatë, ai vazhdoi luftën.

Në vitin 1992, Gjykata e Kasacionit konfirmoi dënimet e “Maxiprocesso”-s. Ishte goditja më e rëndë që mafia kishte marrë ndonjëherë.

Për Cosa Nostrën, hakmarrja ishte vetëm çështje kohe.

Masakrat që ndryshuan Italinë

Masakra e Capacit tronditi Italinë dhe gjithë Europën. Pamjet e autostradës së shkatërruar u kthyen në simbol të brutalitetit mafioz.

Paolo Borsellino e kuptoi menjëherë se edhe ai do të ishte objektivi i radhës.

“Nuk do të ketë nevojë për shumë kohë”, u kishte thënë miqve të afërt pas vrasjes së Falcones.

57 ditë më vonë, parashikimi i tij u bë realitet.

Falcone-Borsellino, dy gjyqtarët që sfiduan Cosa Nostrën deri

Pas atentateve, Italia reagoi me zemërim. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë, ndërsa shteti nisi ofensivën më të madhe kundër mafias.

Në vitet që pasuan u arrestuan bosët më të fuqishëm të Cosa Nostrës, përfshirë Salvatore “Totò” Riina dhe Bernardo Provenzano.

Falcone dhe Borsellino u kthyen në figurat më të rëndësishme morale të Italisë moderne.

Falcone-Borsellino, dy gjyqtarët që sfiduan Cosa Nostrën deri

Sot emrat e tyre mbajnë shkolla, aeroporte, institucione dhe sheshe publike. Për shumë italianë, ata përfaqësojnë idenë se shteti mund të fitojë ndaj mafias vetëm kur drejtësia, guximi dhe shoqëria ecin bashkë.

Në Palermo, çdo vit, sirenat bien në të njëjtën orë kur shpërtheu bomba në Capaci.

Dhe çdo vit Italia rikthehet te e njëjta pyetje që Falcone kishte bërë dekada më parë: “Mafia është një fenomen njerëzor dhe si çdo fenomen njerëzor, ka një fillim dhe do të ketë edhe një fund.” /Pamfleti