Gjykata e Posaçme ka rikthyer për hetim në SPAK çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën Prokuroria e Posaçne kishte kërkuar pushimin e çështjes, por Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën.
Kujtojmë që në kallëzimin e depozituar nga PD, pretendohej se gjyqtarja Irena Gjoka kishte falsifikuar formularët e dekriminalizimit.
Pas 10 muajsh hetim, SPAK provoi ekzistencën e dënimit grek, por nënvizoi se Gjoka nuk ka pasur dijeni për të dhe se, për shkak të kohës së kaluar, vepra është parashkruar. Me pretendimin se nuk ka kushte ligjore për vijimin e ndjekjes penale, SPAK kërkoi pushimin e hetimit.
Me vendimin e sotëm GJKKO i kërkon SPAK të vijojë hetimet duke i caktuar 20 detyra hetimore që duhet të kryejë brenda 6 muajve.
Disa nga detyrat përfshijnë:
Pyetja e kallëzuesve Berisha, Malltezi dhe Adriana Kalaja.
Marrja dhe shqyrtimi i të dhënave nga Pika Kufitare e Kufirit në Kakavijë.
Marrje e vendimit penal nga gjykata në Greqi.
Marrje e dokumenteve apo proces-verbaleve për njoftimin e dënimit.
Marrja e proces-verbaleve të ndalimit të hyrjes në kufi nga pika kufitare Greke.
Marrja e raportit të ekspertizës që ju krye pasaportës me vizë të falsifikuar të Irenës.
Marrja e prokurës nga noteri në Fier ku Irena Maneku dhe Sotiraq Gjoka kishin dhënë prokurë për avokatin Andon Konomi që ta ndiqte në autoritetet greke.
Marrja e dokumenteve nga gjykatat në Greqi ku ka ankimuar avokati me prokurë i Irenës.
Marrja e dokumenteve të ankimimit që ka kryer Irena Gjoka në Gjykatën e Athinës fillimisht.
Vendimin e gjykatës së Athinës që njofton se çështja është në Janinë.
Marrja e vendimit penal të Gjykatës së Janinës.
Marrja dhe administrimi i të gjithë formularëve që ka plotësuar nga organet e administrimit të drejtësisë (Prokurori e Përgjithshme, KLGJ, ILD…)
Marrja e të dhënave dhe formularëve të Irena Gjokës nga KLGJ (ka plotësuar formularin e dekriminalizimit edhe në 2022 kur u emërua zv. Kryetare e GJKKO Irena, jo vetëm atë të 2016 siç donte të gënjente prokurori që ta quante si veprim penal të parashkruar (falsifikim vulash e firmash që është parashkruar)
Marrja e të dhënave nga dosja hetimore që ka nisur ILD ndërkohë ndaj Irena Gjokës.
Njoftimi i gjykatës:
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 26.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pushimin e çështjes penale me numër 130, të vitit 2025, për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal”.
2. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Marinela Osmani, me vendimin e datës 19.05.2026, vendosi:
1. Kthimin e akteve që i përket procedimit penal numër 130, të vitit 2025, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme, duke përcaktuar drejtimin e thellimit të tyre dhe veprimet që do të kryhen, sipas pjesës arsyetuese së këtij vendimi.
2. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kryerjen e këtyre veprimeve brenda 6 (gjashtë) muajve nga dita e njoftimit të vendimit të formës së prerë.
3. Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Prokurorit të çështjes Bledar Maksuti si dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
4. Shpenzimet procedurale si dhe ato gjyqësore sikurse janë kryer.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.
/voxnews