Inspektorët shesin taksidarin Elton Karapicin që zhvat bizneset, 10 vjet terror fiskal pa u prekur nga askush

Kryesore

Publikuar: 21/04/2026

Inspektorët shesin taksidarin Elton Karapicin që zhvat bizneset, 10 vjet terror fiskal pa u prekur nga askush

Me PhD për “moral tatimor” në teori, në praktikë është “ujku” i tatimeve VIP; kontrolle abuzive, gjoba të sajuara, ryshfete me lista biznesesh “viktima”. Katër pyetjet që SPAK nuk i bën dot, dhe pse askush në qeveri nuk e ndal?

Në janar 2022, Elton Karapici i Drejtorisë Qendrore të Tatimpaguesve të Mëdhenj mori titullin “Doktor i Filozofisë PhD”, me studimin “Taksa Morale Tatimore – Analizë Teorike”, ku bën moral për kryerjen e detyrës me ndershmëri nga tatimorët dhe raportet ligjore e korrekte me bizneset.

Në teori, tatimori Elton Karapici të krijon përshtypjen se është simbol i ndershmërisë gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa në praktikë është “ujk” që zhvat bizneset nëpërmjet ryshfeteve me presione për gjoba, bllokim të aktiviteteve, pasurive e llogarive.

Gjatë 10 viteve në sektorin e tatimeve të bizneseve VIP, Elton Karapici rezulton të jetë personazhi me më shumë denoncime dërguar te kryeministri Edi Rama, ministrat e financave, drejtorët e tatimeve dhe në policinë e antikrimit financiar, prokurori e SPAK.

Por megjithëse ka shumë prova, asnjë prej drejtuesve të qeverisë, tatimeve, policisë antikrim dhe drejtësisë nuk vepron për ta larguar nga tatimet gjobaxhiun Elton Karapici e për ta proceduar penalisht, minimalisht për abuzim me detyrën.

Në denoncimet që kanë bërë shumë biznese, është provuar edhe me regjistrime audio-video se Elton Karapici zhvat duke përdorur skemën e kontrolleve abuzive, moszbatimin e protokollit të kontrolleve, sajimin e shkeljeve dhe presionet për gjoba të mëdha zyrtare, ose dhënie ryshfetesH.

Ja si i klasifikon bizneset “viktima”:

Elton Karapici ka lista me kategori biznesesh “viktima”, që i zhvat sistematikisht prej 10 vitesh:

Bizneset që e kanë praktikë shkeljen e ligjit, ku Karapici merr pagesa fikse mujore ilegale.

Biznese të cilët janë në rregull me detyrimet fiskale, por ai u sajon probleme fiktive dhe i kërcënon me bllokime; ndërsa ata, për të evituar pengesat, streset nga kontrollet e tejzgjatura dhe telashet e kota, detyrohen t’i japin pagesa për ta hequr qafe.

Bizneset që ai i gjurmon për t’i kapur në gabime, dhe bizneset pa licencë e ato që i favorizon klientelistisht, me shtyrje detyrimesh e hartim raportesh kontrolli false sikur janë në rregull, nga të cilët merr ryshfete që shkojnë minimalisht 10 mijë Euro.

Për të realizuar këto skema, Elton Karapici përdor vartës të besuar, njëri prej tyre me mbiemrin “Qëndro”, për të cilët do të flasim në vijim. Por përdor edhe vjehrrin Sabri Shera, pronar i firmës ndërtuese “A-A Konstruksion” Sh.p.k.; i arrestuar në vitin 2019, shoqëruar e proceduar penalisht në korrik 2023 dhe arrestuar përsëri më 8 shkurt 2024, në të 3 herët, për mashtrim me shitje apartamentesh disa herë.

Skema “Karapici” e zhvatjes së bizneseve:

Skema e zhvatjes fillon me piketimin e bizneseve “viktima”, dërgimin e kontrollit, instruktimin e inspektorëve që të krijojnë situata me ngatërrim dokumentash, dhe pasi fikin kamerat personale GPS, negociojnë për të lënë hapur aktet e kontrolleve, shoqëruar me këshillën që të takohen me shefin Elton Karapicin, si të vetmin që i shpëton, ose të bëjnë gjëmën nëse nuk japin ryshfet.

Pas kësaj skeme, futet në lojë vjehrri i tij ndërtues mashtrues dhe persona të besuar, në rolin e negocatorëve që bëjnë ujdi favorizimesh kundrejt pagesave nën dorë, që përfundojnë në duart e tatimorit Elton Karapici, të cilin nuk po e godet asnjë institucion ligjzbatues.

Këtë pyetje, si indice për hetim nga SPAK-u:

A ka tatimori Elton Karapici biznese të regjistruara në emër të familjarëve dhe biznese me aktivitete e ortakëri ilegale në emër të personave të besuar?

A ka pasuri të paluajtshme në Tiranë, Durrës, Himarë, Vlorë, Sarandë e Shëngjin?

A ka fshehur milionat që u ka zhvatur bizneseve, duke i pastruar në biznesin e ndërtimit të vjehrrit Sabri Shera, në emër të bashkëshortes Adela Karapici (Shera) e familjarëve të tjerë të tyre?

Çfarë lidhje interesash ka krijuar Elton Karapici me familjarët e Ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe me familjarët e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, që po e lejojnë vartësin Elton Karapici të zhvasë bizneset?/Pamfleti