S’ka president në horizont, por zgjedhje: Kurti s’i çoi as letër formale PDK-së, Hamza mbledh partinë për të nxjerrë qëndrim

Rajon

Publikuar: 20/04/2026

S’ka president në horizont, por zgjedhje: Kurti s’i çoi as letër formale PDK-së, Hamza mbledh partinë për të nxjerrë qëndrim

Kjo ishte çka kërkoi Partia Demokratike e Kosovës pas ftesave jo-zyrtare nga Albin Kurti i Vetëvendosje për çështjen e presidentit.

Ky i fundit s’iu përgjigj kësaj kërkese për të dërguar zyrtarisht letër, në formë e përmbajtje, për të paraqitur “vizionin e tij, se si e sheh procesin,” siç vijon kërkesa e PDK-së.

Kurti sot zhvilloi takimin e fundit me Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit; bisedime të cilat u shpallën të pasukseshme.

Lideri i Vetëvendosjes kërkoi ta ketë Presidentin e vet, në këmbim të ofrimit të katër ministrive për LDK-në në qeverisjen e tij ose t’ua jep drejtimin e legjislativit.

Abdixhiku tha se kjo veçse përkthehet në pushtet të plotë për Vetëvendosjen, duke qenë se “janë shumicë në legjislativ, shumicë në qeveri dhe duan ta kenë me shumicë edhe presidencën.”

“E konsideroj këtë çështje të mbyllur…u përpoqa,” tha Abdixhiku para gazetarëve.

Pas dështimit të bisedimeve me Abdixhiku, Kurti tha sërish se i ka “dërguar mesazh” Hamzës së PDK-së dhe se pret “të shoh çka mund të bëhet.”

PDK ka mbledhur Këshillin Drejtues për të nxjerrë qëndrim të përgjitshëm të partisë së vet.

Sekretarja e Përgjitshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha para mediave para se të niste mbledhja se Albin Kurti “dëshiron të sundojë, dhe jo të qeveris,” pyetur për bisedimet e tij të fundit me Abdixhikun.

“Thënë të drejtën, ajo çfarë kemi parë, dhe jo vetëm këto ditët e fundit, pas Aktgjykimit të GjK-së, por me vite të tëra, qysh se Kurti ësht zgjedhur kryeministër, ka qenë përpjekje për të sunduar e jo për të qeverisur. Një përpjekje për të nënshtruar, e jo për të bashkëpunuar. Dhe duke i njohur cilësitë e tij, është vështirë të paramendohet rezultat tjetër,” tha Çitaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për refuzimin e mesazheve të tij nga PDK-ja dhe kërkesën e tyre që të zyrtarizojë ftesë me përmbajtje të procesit të zgjedhjes së presidentit, tha se “ka njëfarë bojkoti.”

“Ka njëfarë bojkoti, si është e mundur të thuash dua të merremi vesh, por nuk pranoj të takohemi. Duket që 28 dhjetori po mohohet thua se s’ka ndodhur kurrgjë atë ditë. E thua se edhe më tutje jemi në vitin 2025. Unë besoj që viti është 2026”, tha ai.

PDK pritet orëve në vijim të nxjerrë konkluzionet e Këshllit Drejtues, ndërsa adresim për media pritet të ketë nga kryetari i këtij subjekti, Bedri Hamza.

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi, tashmë e merr për të mirëqenë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme si pasojë e çështjes së presidentit.

Miftaraj tha se Albulena Haxhiu në kapacitetin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentit i ka dy data të mundshme për caktimin e zgjedhjeve: 31 majin ose 7 qershorin.