Policia greke ka arrestuar dy të rinj në Athinë, të dyshuar për përfshirje në një grup kriminal që merrej me shpërndarje droge dhe që drejtohej nga një i burgosur.
Operacioni nisi pas një kontrolli rutinë më 14 prill në zonën e Agios Panteleimonas. Efektivët ndaluan një 22-vjeçar të huaj dhe një 19-vjeçar grek, të cilët i konsideruan të dyshimtë. Gjatë kontrollit, policia gjeti 61 doza kanabisi me peshë 89 gramë, të ndara për shitje, si dhe 520 euro që dyshohet se vinin nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetuesit identifikuan si drejtues të aktivitetit një shtetas shqiptar, i burgosur në Malandrino. Ai rezulton i përfshirë edhe në vrasjen e avokatit Michalis Zafeiropoulos në tetor 2017.
Kontrolli në banesën e 22-vjeçarit çoi në sekuestrimin e 92 gramëve kanabis, dy peshoreve elektronike, shumë pakove najloni dhe mjeteve të ftohta si një grusht hekuri dhe një thikë palosëse.
E njëjta figurë kriminale lidhet edhe me një rast zhvatjeje në Selanik. Më 17 prill, policia arrestoi katër persona, mes tyre edhe një të burgosur. Sipas hetimeve, grupi i kërkoi një administratori kompanie 200 mijë euro duke e kërcënuar me jetë. Pas negociatave, shuma u ul në 100 mijë euro.
Autoritetet organizuan dorëzim të kontrolluar prej 50 mijë eurosh. Në momentin e shkëmbimit ndërhynë forcat e policisë dhe arrestuan tre persona, pavarësisht kundërshtimit të tyre.
Gjatë kontrolleve, policia gjeti një armë zjarri me 11 fishekë, telefona celularë dhe shuma parash. Në qelinë e të burgosurit u zbuluan gjithashtu telefona dhe një mjet prerës i improvizuar.
Të arrestuarit kanë precedentë për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje dhe tentativa për vrasje. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e rrjetit.
/pamfleti