“Burrat nën 45 vjeç duhet të kërkojnë leje për të qëndruar jashtë vendit”/ Ligji i ri për rezervistët shkakton protesta në Gjermani

Botë

Publikuar: 06/04/2026

“Burrat nën 45 vjeç duhet të kërkojnë leje për të qëndruar jashtë vendit”/ Ligji i ri për rezervistët shkakton protesta në Gjermani

Një nen, pjesë e ndryshimeve më të gjera ligjore në politikën e shërbimit ushtarak në Gjermani, ka shkaktuar reagime të forta pasi u zbulua se iu kërkon meshkujve deri në moshën 45 vjeç të marrin leje nga forcat e armatosura për çdo qëndrim të zgjatur jashtë vendit, edhe në kohë paqeje.

Legjislacioni, që hyri në fuqi më 1 janar, synon të forcojë ushtrinë dhe kërkon që të gjithë meshkujt 18-vjeçarë të plotësojnë një pyetësor për të vlerësuar nëse janë të përshtatshëm për të kryer shërbimin ushtarak.

Nëse ky modeli i “modernizuar” i ligjit nuk arrin të tërheqë mjaftueshëm rekrutë, parlamenti do të detyrohet të diskutojë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm, deklaroi ministri i mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë miratimit të ligjit në dhomën e ulët të Bundestagut në dhjetor.

Ai ka nxitur reagime të forta në media në një vend ku ndryshimet në politikën e shërbimit ushtarak kanë sjellë tashmë protesta në rrugë nga nxënës të shkollave, të prekur nga kërkesat e reja të ligjit.

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi kërkesën, të raportuar fillimisht nga gazeta “Frankfurter Rundschau”.

Një zëdhënës i ministrisë tha se legjislacioni i ri synon të krijojë një kuadër për shërbimin e detyrueshëm nëse do të jetë e nevojshme, duke e bërë të domosdoshme të dihet vendndodhja e rekrutëve të mundshëm në rast nevoje urgjente.

“Sipas formulimit të ligjit, meshkujt nga 17 vjeç e lart janë të detyruar të kërkojnë miratim paraprak nga qendra përkatëse e karrierës në Bundeswehr për qëndrime jashtë vendit më të gjata se tre muaj,” tha ai. Ligji parashikon që ky detyrim përfundon në moshën 45 vjeç.

Politika kërkon që nevoja për këtë autorizim të ekzistojë edhe kur nuk bëhet fjalë periudha krizash, duke rikthyer një rregull që ekzistonte dekada më parë. Megjithatë, ministria tha se ai mbetet kryesisht pa pasoja praktike për personat në fjalë.

“Ky rregull ka qenë në fuqi edhe gjatë Luftës së Ftohtë dhe nuk kishte rëndësi praktike; në veçanti, nuk parashikon sanksione,” shtoi zëdhënësi.

Ministria nuk bëri të ditur sa persona kanë kërkuar leje këtë vit.

Zëdhënësi la të kuptohet se miratimet për qëndrime jashtë vendit do të jenë rutinë për sa kohë që shërbimi ushtarak nuk është i detyrueshëm dhe Gjermania nuk përballet me një emergjencë sigurie.

“Do ta qartësojmë përmes rregulloreve administrative që autorizimi konsiderohet i dhënë për sa kohë shërbimi ushtarak mbetet vullnetar,” tha ai, duke shtuar: “Meqë shërbimi ushtarak sipas ligjit aktual bazohet ekskluzivisht në pjesëmarrje vullnetare, këto autorizime duhet, në parim, të jepen.”

Ai shtoi se do të ketë hapësirë të gjerë për përjashtime nga kërkesa për autorizim, “pjesërisht për të shmangur burokracinë e panevojshme”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë procedure duhet të ndjekin meshkujt për të marrë lejen përpara se të hyjnë në fuqi rregullat e lehtësuara, apo sa kohë do të zgjasë kjo procedurë.

Politika synon të sigurojë mjaftueshëm vullnetarë për të rritur numrin e forcave të armatosura në 460,000 deri në vitin 2035, të përbëra nga 260,000 ushtarë aktivë dhe 200,000 rezervistë. Aktualisht, vendi ka 182,000 ushtarë aktivë dhe pak më pak se 50,000 rezervistë.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u pezullua në vitin 2011, gjatë mandatit të kancelares së atëhershme, Angela Merkel.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, synon të krijojë ushtrinë konvencionale më të fortë në Europë, mes rritjes së kërcënimit nga Rusia pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini dhe dyshimeve se SHBA mund të tërhiqet nga garantimi I sigurisë së Europës gjatë presidencës së Donald Trump.

Top of Form

Bottom of Form