Kryetari demokrat i Bashkisë së Pukës shkon te takimi i Ramës, por… e kishin njoftuar gabim

Kronike

Publikuar: 03/04/2026

Kryetari demokrat i Bashkisë së Pukës shkon te takimi i Ramës, por… e kishin njoftuar gabim

Një situatë e pazakontë ka ndodhur sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve, kur është shfaqur kryetari demokrat i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, i cili ishte ftuar me e-mail të merrte pjesë në takimin e kryebashkiakëve socialistë me kryeministrin Edi Rama.

Por, të dera ai është njoftuar se nuk e kishte emrin në listë. Dhe në fakt, nuk duhet ta kishte, e me sa duket e-maili që ka ardhur në adresën e tij ka qenë gabim. Sepse takimi i Ramës me kryebashkiakët ishte vetëm me të zgjedhurit socialistë.

Kryeministri Edi Rama nis sot turin “Për punët e Shqipërisë” me kryebashkiakët e zgjedhur të PS. Një nga çështjet që po diskutohet në mbledhje, e cila po zhvillohet me dyer të mbyllura, lidhet me emergjencat civile në pushtetin vendor dhe përgjigjen më efikase në raste nevoje.

Rrok Dodaj tha për mediat se nuk i është lejuar të marrë pjesë në mbledhje. Në një sqarim të mëtejshëm, ai tha se është kontaktuar nga PS dhe i kanë shpjeguar se ftesa i është dërguar gabimisht nga sekretarja.

Disa prej kryetarëve demokratë pranuan se kanë marrë ftesë, ndërsa të tjerë thanë se nuk janë ftuar. Miftar Dauti, kryetar i Bashkisë së Hasit dhe Albert Mëlyshi i Mirditës thanë se nuk kanë marrë ftesë. Ftesën e konfirmoi edhe Hilë Curri i Fushë-Arrëzit. PS ka konfirmuar se ftesa u është dërguar vetëm kryebashkiakëve socialistë.