Ibrahimaj i kundërpërgjigjet Tabakut: Mbështetuni në fakte, jo perceptime që krijojnë pasiguri

Politikë

Publikuar: 02/04/2026

Ibrahimaj i kundërpërgjigjet Tabakut: Mbështetuni në fakte, jo perceptime që krijojnë pasiguri

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një interpelance në Kuvend, sqaroi funksionimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve, ku hodhi poshtë pretendimet e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Në fjalën e saj Ministrja tha, se debati publik është i shëndetshëm dhe i nevojshëm në një demokraci funksionale, por ai duhet të mbështetet mbi fakte, mbi ligj dhe mbi të dhëna të verifikueshme, jo mbi perceptime të pjesshme, interpretime të nxituara apo aludime që krijojnë pasiguri të panevojshme.

“Kur flasim për një projekt strategjik për ekonominë e vendit, detyra jonë është të sqarojmë, të argumentojmë dhe të japim garanci për standardet e zbatimit, sepse kjo është mënyra e vetme për të ruajtur besimin e publikut dhe për të mbrojtur interesin publik”, tha Ibrahimaj.

Korporata vepron në cilësinë e agjentit, në zbatim të një autorizimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave apo organeve të tjera vendimmarrëse, të parashikuara nga kuadri ligjor në fuqi apo në zbatim të një marrëveshjeje të posaçme me entin publik pronar të ligjshëm të pronës, me qëllim vënien në përdorim me eficiencë të pronave shtetërore, nëpërmjet investimeve që kryhen prej saj apo nga partnerë privatë. Përzgjedhja e partnerit privat bëhet sipas rregullave të konkurrueshmërisë, të përcaktuara në kuadrin e saj ligjor.

Korporata në vitet e fundit ka krijuar një rrjet ndërkombëtar bashkëpunimesh,të cilat bazohen në marrëveshje bashkëpunimi me homologët dhe entitetet të cilat funksionojnë të njëjtën mënyrë në shtetet e BE-së, por edhe më gjerë.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se Korporata u krijua në vitin 2019 me qëllim që shteti të mos mbetet pasiv në zhvillimin ekonomik, por të ketë një rol aktiv në menaxhimin e pronës shtetërore dhe zhvillimin e projekteve.

“Nuk kemi krijuar një model nga zero, korporata është krijuar në bazë të modeleve që funksionojnë në Evropë. Është brenda një logjike dhe vizioni të qeverisë për të gjeneruar të ardhura. Sa i takon menaxhimit, bëhet në 2 nivele, drejtori ekzekutiv dhe këshilli mbikëqyrës, pjesa më e madhe është e pavarur. Vetëm 2 nga 7 anëtarë të bordit janë funksionarë shtetërorë. Gjithë korporata apo rregullat të funksionimit janë të bazuara në balancë, kontroll dhe pavarësi institucionale në vendimmarrje. Nuk kemi një centralizim”, tha Ibrahimaj.

Gjithashtu, Ibrahimaj theksoi se gjatë vitit 2024 Korporata është përqendruar në zhvillimin e planeve të biznesit, duke përdorur prona shtetërore të degraduara me një vlerë të ulët dhe duke i zhvilluar ato në partneritet me sektorin privat, si pjesë e politikës “Shqipëria 1 euro”.

“Përdorimi  i pronës shtetërore ka filluar që me politikën Shqipëria 1 euro, është një politikë e PD e vazhduar nga ne. Merret pronë që është aset i degraduar me një vlerë të ulët dhe në partneritet me privatin e zhvillon pronën”, tha Ibrahimaj.

Sipas ministers, ky model synon të sjellë investime dhe zhvillim ekonomik, duke garantuar një menaxhim transparent dhe profesional të pronës shtetërore.