Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njëri nga viktimat e 21 janarit 2011, është takuar këtë të martë me kreun e SPAK, Klodian Braho, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë një prononcimi për mediat, Mark Nika ka deklaruar se çështja është zvarritur për 15 vite dhe se tashmë ka besim që kjo dosje do të zbardhet.
Sipas tij, falë kasetën origjinale, do të zbardhen edhe autorët e vrasjes së 4 demonstruesve në 21 janar.
“Ne kemi vërejtjet dhe pretendimet tona, pasi është zvarritur në atë formë që, për 15 vite, ka mbetur në sirtarët e drejtësisë. Ne po presim, e kanë ata në dorë se si do të vijojë. Kemi hyrë në vitin e 16 që çështja është në sirtarët e drejtësisë. Hetimi duhet të jetë më i shpejtë, duhet të thirren persona që kanë dijeni për ngjarjen, duke nisur nga punonjësit e shtetit dhe Gardës dhe jo vetëm. Ne kemi kërkuar psh ish sekretarin e këshillit të ministrave, punonjësit e serverëve të IT, nuk janë thirrur se di pse thonë se janë të panevojshme”, tha ai.
Nika ka zbuluar se e ka kërkuar vetë ai takimin me Brahon, pasi sipas tij kjo çështje duhet të ishte përfunduar.
“E kërkova unë takimin se s’na zë vendi. Kjo çështje duhet të ishte përfunduar, siç është e vërteta. Është e papranueshme, pasi shqiptarët pyesin pse nuk shkojnë para drejtësisë autorët.”, deklaroi Nika.
Po ashtu, xhaxhai i Aleks Nikës tha se shteti është fajtor për vrasjen e nipit të tij.
“Vrasësit janë shteti, sepse nuk e bënë organizimin për të mos u vrarë demonstruesit. Plus që ata u vranë në përfundim të demonstratës. Ka 2 vite që e ka marrë çështjen SPAK dhe kam besim se prokurori do ta zbardhë këtë ngjarje. Autorët do të zbulohen dhe do të ekspozohen, se kush e ka kryer dhe autorsia e vrasjeve duhet të vërtetohet. Ne e dimë por duhet me ekspertim shkencor”, përfundoi ai.