Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, mbajti sot në Kuvend një fjalim gjatë debatit për rezolutën që kërkon shpalljen e Iranit si sponsor të terrorizmit. Ndërsa dënoi represionin e regjimit iranian, Muçi e cilësoi nismën si të njëanshme dhe hipokrite, duke akuzuar shumicën se po mban standarde të dyfishta përballë krimeve të luftës, konfliktit në Lindjen e Mesme dhe heshtjes ndaj çështjeve të tjera, si gjenocidi serb në Kosovë.
“Rezoluta që propozohet kërkon shpalljen e Republikës së Iranit si shtet që përdor mjete terroriste. Vendet e Bashkimit Evropian – me të drejtë – kanë shpallur organizate terroriste garden revolucionare për hir të gjithë atyre të rinjve e të rejave që kanë protestuar në rrugët e Tehranit dhe janë përballur me represionin e regjimit.
Do ishte në nderin e këtij Kuvendi dhe në nderin tuaj që anën e duhur ta mbanit jo vetëm kur u intereson më të fortëve, por edhe të mallkuarve të kësaj bote, siç do thoshte Franc Fanoni.
Sepse ka një hipokrizi të madhe në propozimin e kësaj rezolute që dënon krimet e regjimit të Iranit, ndërkohë që kryeministri juaj, e për turpin tim dhe të gjithë shqiptarëve edhe i yni, shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Beniamin Netanyahut, të kërkuarit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid, kreut të një shteti që terrorin ndaj popullsisë palestineze e aplikoi rishtazi me pasojë vrasjen e të paktën 70.000 civilëve ndër të cilët rreth 20.000 fëmijë.
Në rezolutën tuaj duhej të kërkohej edhe dhënia fund e një lufte të nisur pa asnjë logjikë, pa asnjë plan, pa asnjë objektiv të qartë, por me pasoja të rënda ekonomike dhe destabilizuese për rajonin dhe botën. Një luftë të cilën nuk e ka nisur NATO-ja, një luftë që nuk mbështetet nga asnjë prej vendeve të Bashkimit Evropian, që nuk ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe as miratimin e Kongresit Amerikan.
Ne në Lëvizjen Bashkë e kemi dënuar represionin e regjimit diktatorial të Iranit ndaj popullsisë vendase këtu e 15 vite të shkuara dhe pa dyshim që e dënojmë edhe sot, por kjo çështje nuk zgjidhet me luftë, dhe që të jeni seriozë, nëse do nënshkruajmë rezoluta pompoze që dënojnë krimet e shteteve terroriste, do kishte qenë mirë që më parë të kishit votuar rezoluten per njohjen e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë.” – u shpreh Muçi.