Sonila Meço ka bërë një shënim në lidhje me përplasjen e koleges së saj që punojnë të dyja në televizionin e familjes Berisha, pas përplasjes me kryeministrin Edi Rama në konferencën e djeshme për shtyp.
Meço shkruan se Ambrozia i hap syt shqiptarëve me pytjet e saj drejtuar Edi Ramës.
“Ambrozia, që bën diçka për të cilën pushteti ishte investuar me gjithçka që të harrohej: kërkon llogari. Nuk bën asnjë gabim gazetaresk, përkundrazi. Me një breshëri legjitime pyetjesh i hap sytë njerëzve se ky pushtet duket i madh vetëm sepse institucionet rreth tij janë bërë të vogla.
Mjaftoi një mikrofon dhe një vendosmëri për të çuar disa pyetje deri në fund edhe kur kolegët e braktisën për të parë me sy e dëgjuar me veshë shkërmoqjen psiqike dhe rrënimin cerebral të pushtetit nga kujtesa publike se duhet të japë llogari.
Prandaj mbrojtja e Ambrozias është domosdoshmëri, sepse dëshmoi lehtësinë e papërballueshme të parimit më elementar: pushteti ekziston për t’u kontrolluar.
Çështja nuk është ku e gjeti guximin Ambrozia, por si arriti ky pushtet absolut e arrogant që s’pyet më për institucione e ndërkombëtarë të trazohet, dridhet e shpërfytyrohet nga zëri i një qytetareje?
Kjo është arsyeja pse reagimi ndaj Ambrozias është kaq nervoz. Sepse ajo nuk është thjesht gazetare, por simptoma e kupës së mbushur në boshllëkun institucional.
Prandaj ju pëlqen a jo Ambrozia, ju bezdis a jo ngjyra e zërit të saj, kjo nuk është çështje gustosh, por e refleksit institucional të shoqërisë mu brenda kryeministrisë.
Se këtu mbërritëm me a pa dashje, në paradoksin ku një gazetare bën atë që duhet ta kishin kryer me kohë parlamenti, SPAK-u dhe mekanizmat e kontrollit”, shkruan mendimtarja e madhe e televizionit të Berishës, Sonila Meço.