Izraeli tenton të eliminojë pretendentin kryesor të “fronit” në Iran, plagoset djali i Khameneit!

Botë

Publikuar: 07/03/2026

Izraeli tenton të eliminojë pretendentin kryesor të “fronit” në Iran, plagoset djali i Khameneit!

Izraeli ka tentuar të eliminojë pretendentin kryesor për të marrë drejtimin e Iranit. Bëhet fjalë për Mojtaba Khamenei, djalin e dytë të udhëheqësit suprem të ndjerë të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Mojtaba Khamenei është plagosur gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite, sipas raportimeve të mediave në Izrael.

Gazetari i Channel 12 dhe Ynet, Amit Segal, ka shkruar në rrjetin social X se“pasardhësi i emëruar në Iran, djali i Khameneit, është plagosur, por duket se është ende gjallë”.

Mojtaba Khamenei konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar të atin në krye të Republikës Islamike. Ai shihet si favorit për t’u zgjedhur udhëheqësi i ri nga Asambleja e Ekspertëve, organi që ka kompetencën për të emëruar liderin suprem të Iranit.

Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht raportimet për plagosjen e tij. Informacioni mbështetet në raportimet e mediave izraelite dhe deklaratat e gazetarit Amit Segal.

Katër ditë më parë, nga Asambleja e Ekspertëve, organi prej 88 klerikësh që zgjedh Liderin Suprem, ai doli si kandidati kryesor. Megjithatë, vendimi nuk është ratifikuar ende. Të enjten, anëtarët e asamblesë u mblodhën në videokonferencë për të formalizuar zgjedhjen, por mbledhja përfundoi pa rezultat.

Sipas burimeve të cituara nga Iran International, të paktën tetë anëtarë të asamblesë bojkotuan seancën emergjente, duke denoncuar “presion të fortë” nga Garda Revolucionare iraniane (IRGC) për të imponuar kandidaturën e Mojtaba Khameneit.

Burimet pretendojnë se përfaqësues të Gardës Revolucionare kanë kontaktuar vazhdimisht disa anëtarë të asamblesë para votimit për të ndikuar në vendim.

Në qendër të debatit është edhe çështja e nepotizmit. Disa klerikë argumentojnë se emërimi i djalit të liderit të ndjerë do ta bënte sistemin politik iranian të ngjashëm me një monarki fetare, duke kundërshtuar parimet mbi të cilat u themelua Republika Islamike pas revolucionit të vitit 1979.Ndërkohë, sipas burimeve të cituara nga Reuters, që nga fillimi i luftës në rajon Garda Revolucionare ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në vendimmarrjen politike në Iran.

Disa anëtarë të Asamblesë së Ekspertëve kanë shprehur gjithashtu dyshime për profilin e Mojtaba Khameneit, duke argumentuar se ai nuk ka peshën e nevojshme fetare dhe juridike për postin më të lartë të sistemit politik iranian.

Kush është Mojtaba Khamenei?

Mojtaba Hosseini Khamenei, klerik dhe figurë me ndikim të madh në strukturat e pushtetit në Teheran, është djali i madh i Ajatollah Ali Khameneit dhe prej vitesh konsiderohej një nga personat më të fuqishëm prapa skenës në sistemin iranian.

I lindur në Mashhad në vitin 1969, ai u rrit gjatë periudhës së përplasjes revolucionare kundër monarkisë së Shah Mohammad Reza Pahlavit. Babai i tij, në atë kohë një klerik i njohur, u arrestua dhe u internua disa herë nga forcat e sigurisë së Shahut.

Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, që ndryshoi rrënjësisht fatin e familjes, Mojtaba u zhvendos në Teheran, ku ndoqi shkollën elitare Alavi High School, një institucion i njohur për formimin e figurave të rëndësishme të regjimit. Më pas ai vazhdoi studimet fetare në Teheran dhe Qom, nën drejtimin e klerikëve konservatorë të njohur, përfshirë Ajatollah Mohammad-Taqi Mesbah Yazdi, sipas burimeve mediatike.

Megjithëse Mojtaba është një klerik i rangut të mesëm dhe nuk mban titullin ajatollah, prej vitesh ai konsiderohet një figurë e fuqishme prapa skenës në Zyrën e Udhëheqësit Suprem. Analistët shpesh e krahasojnë rolin e tij me atë të Ahmad Khomeinit, djalit të Ajatollah Ruhollah Khomeinit, i cili shërbente si bashkëpunëtor i ngushtë dhe ndërmjetës gjatë sundimit të të atit.

Ndikimi i Mojtabës besohet se buron kryesisht nga lidhjet e tij të afërta me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC). Ai shërbeu në Batalionin Habib gjatë Luftës Iran-Irak dhe thuhet se krijoi marrëdhënie të forta me figura që më vonë u ngjitën në poste të larta në aparatin e sigurisë së Iranit, përfshirë drejtues të inteligjencës dhe komandantë të Basij-it.

Gjatë viteve, rivalë politikë dhe qeveri të huaja e kanë akuzuar për përfshirje në proceset zgjedhore dhe në shtypjen e protestave. Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij, në kuadër të një urdhri ekzekutiv që synonte individë të lidhur me Udhëheqësin Suprem të Iranit. Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi në atë kohë se Ali Khamenei kishte deleguar disa aspekte të autoritetit të tij te i biri, i cili përshkruhej si përfaqësues i liderit në një kapacitet zyrtar, edhe pse nuk mbante një post të zgjedhur.